(EMRAT) GJKKO çon për gjykim dosjen/ Ish-prokurori Kledian Llaho mes të pandehurve për korrupsion

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen penale në ngarkim të disa të pandehurve, mes tyre edhe ish-drejtuesi i prokurorisë Kledian Llaho.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit në seancën paraprake, ku gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjyq.
Sipas dosjes, Kledian Llaho dhe Vasil Bakalli akuzohen për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Ndërkohë, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë në disa episode.
Në të njëjtën çështje, gjykata ka pranuar edhe kërkesën e njërit prej të pandehurve, Pando Papuçi, për gjykim të shkurtuar, që do të shqyrtohet gjatë procesit.
Dosja përmban provat e mbledhura nga Prokuroria e Posaçme, si dhe dokumente të paraqitura nga mbrojtja gjatë seancës paraprake.
Pas vendimit, çështja do të hidhet në short për formimin e trupit gjykues që do ta shqyrtojë në themel. Vendimi i gjykatës nuk lejon ankim.


