Ekskluzive/ Zbulohet dy makinat që u përdorën në vrasjen me 16 plumba të Hidës. ”A Classi” tradhtoi grupin, u gjet në servis

Këto janë pamjet e fundit të automjetit “Fiat Croma”, pak minuta pas vrasjes së Besnik Hidës në 1 Tetor 2019 në qytetin e Lushnjës.

Makina me tre ekzekutorët, është larguar me shpejtësi, teksa më pas është raportuar e djegur së bashku me dy automatikë kallashnikovë dhe një pistoletë, në periferi të qytetit.

Tre autorët sipas prokurorisë së Fierit, deri në këtë fazë të hetimit, janë Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj i njohur me nofkën “Pepe”.

Dy nga personat si Laert Haxhiu dhe Ardian Ahmetaj ndodhen në burg në Greqi, ku po punohet për ekstradimin e tyre në Shqipëri. Ndërsa Orgest Bilbilit, i është komunikuar masa e arrestit në ambientet e burgut të Korçës, ku mbahet i izoluar për një ngjarje tjetër kriminale në Lushnjë.

Ata fillimisht janë identifikuar pikërisht nga zbulimi i makinës së Ahmetaj, “Benz A-Class” me ngjyrë të zezë, që policia e ka sekuestruar në ambientet e një servisi në Çermë-Proshkë.

Hetimi i udhëhequr nga prokurori Petrit Vukaj, zbuloi se skuadra e vrasjes me 16 plumba të Besnik Hidës, pasi ka djegur makinën “Fiat Croma” të përdorur në ngjarje, është larguar pikërisht me një automjet ngjyrë të zezë Benz-Mercedes “A-Class”.

Makina rezulton në pronësi të Ardian Ahmetaj, shok i Laert Haxhiut dhe është mjeti që ditën e vrasjes së Hidës, ka ndjekur nga pas automjetin tip “Fiat Croma”.

Itinerari i ndjekjes është pikasur përmes analizimit të kamerave të bizneseve nga zona e Çermës deri në Lushnjë.

Pikërisht “A-Classi” është përdorur për të transportuar tre autorët e krimit, nga vendi ku dogjën makinën “Fiat Croma” në drejtim të Tiranës.

Policia dhe prokuroria e Fierit kanë kryer analizimin e pamjeve filmike dhe analizimin e qelizave telefonike, të cilat tregojnë se numrat e tre personave logojnë në vendin e krimit.

Sipas hetimit vrasja e Besnik Hidës, është organizuar nga Laert Haxhiu, pasi Hida së bashku me Fatos Latifin, ishin dy njerëzit që po interesoheshin në mënyrë të vazhdueshme në polici dhe prokurori, për të identifikuar dhe arrestuar autorët e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ngjarje kjo e ndodhur në 11 Tetor 2017 në Lushnjë.

Viktima Besnik Hida, ishte një tregtar makinash në Lushnjë dhe daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht në Lushnjë, teksa shënjestër e ekzekutorëve ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bare.

Hida u vra teksa po konsumonte kafe në verandën e një lokali në Lushnjë, ndërsa pamjet dramatike të vendngjarjes tronditën banorët e Lushnjës.

Ekskluzive/ Zbulohet dy makinat që u përdorën në vrasjen me
Benzi A-Class me të cilin janë larguar autorët

EMISIONET