Ekskluzive për Ora News/Ambasadori i Ukrainës: Situata e tmerrshme, dje u sulmua një kopsht ku u plagosën 17 fëmijë
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, në një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, e ka përshkruar të tmerrshme situatën në vendin e tij pas sulmeve të Rusisë.
Ai thotë se operacionet ushtarake të Rusisë po prekin dhe civilët, duke sjellë në vëmendje bombardimin e një kopshti ku mbetën të plagosur 17 fëmijë, prej të cilëve tre në gjendje të rëndë.
Shkurov: Situata është e tmerrshme, po shkatërrohet infrastruktura, kopshte, ndërtesa banimi. Të gjitha janë të shkatërruara. Dje në qytetin e Sumit është bërë një goditje në një kopsht ku janë lënduar 17 fëmijë, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje shumë të rëndë. Njerëzit janë të frikësuar, e kalojnë natën në strehime nëntokësore, në metro. Imagjinoni fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë që duhet të bëjnë diçka që nuk e kuptojnë çfarë po ndodh. E gjithë situata që ka të bëjë me njerëzit e thjeshtë mund të përshkruhet me një fjalë: Është e tmerrshme.
Ambasadori ukrainas ndau me publikun shqiptar edhe disa akte heroike të ushtarëve ukrainas që kanë sakrifikuar jetën për vendin e tyre.
Shkurov: Nga ana tjetër do të doja të flisja për disa akte heroike që po na vijnë. Dje afër një qyteti ëshë marrë një vendim për të minuar një urë, ishte një urë ku duhet të kalonte bateria e tankeve. Një inxhinier i marinës e kishte për detyrë të minonte urën, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme por nuk pati kohë të largohet. Rezultati, ai ka marrë vendimin për tu vetëhedhur në erë. Ura është shkatërruar por kemi një viktimë shtesë. Kalimi i tankeve është parandaluar. Ka edhe një rast tjetër që ka ndodhur dje. Është një ishull që ne e quajmë ishulli i gjarpërinjve, ishin 13 ushtarakë kufitarë që po e mbronin, atje u afrua një varkë ushtarake ruse dhe ju propozoi ushtarëve të dorëzoheshin. Si përgjigje ata kanë marrë që nuk do të dorëzohen. Ata janë vrarë dhe ishulli është shkatërruar.Këta janë heronjtë tanë.
Luftimet sot kanë qenë mjaft të forta ndërsa thuhet se janë shpërndarë mijëra armë për popullsinë në Ukrainë. Po a janë të mjaftueshme për të përballuar mjetet ushtarake ruse?
Shkurov: Nëse dje një nga vendet kryesore e luftimeve ka qenë Donbasi sot është kryeqyteti, Kievi. U shpërndanë 20 mijë armë dhe nuk është e mjaftueshme. Njerëz po armatosen dhe vetë. Janë bërë radhë të mëdha pranë komisariateve ushtarake. Situata po përkeqësohet. Gjetja e armatimit shtesë është çështja aktuale.
Në ditën e parë të sulmit të Rusisë në Ukrainë, pamjet kanë qenë të tmershme, sidomos me bllokimin e rrugëve nga popullsia që tentonte të largohej por edhe të strehohej për ti shpëtuar predhave ruse.
Por a ka rezerva të mjaftueshme Ukraina për ta përballuar ekonomikisht luftën?
Shkurov: Aktualisht situata është në kontroll, janë të mjaftueshme dhe stoqet përkatëse. Megjithatë shenjat e përkeqësimit janë të dukshme por qeveria dhe presidenti jonë po bëjnë përpjekjet e duhura për të dalë nga kjo situatë. Vlen të theksohet edhe fakti se kemi një ndihmë të fortë dhe nga partnerët tanë të huaj në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe ekonomik.
Në përgjigje të pushtimi të Ukrainës, vendet e BE, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.
Shkurov: Sanksionet janë të vendosura dhe janë të dukshme. Sot në Bruksel ka pasur diskutime dhe konsultime të tjera për të vendosur sanksione shtesë. Siç është bërë dhe nga ana e SHBA-ve apo Anglia. Kanë përfunduart një paketë të re snaksionesh ku përfshihet dhe komunikimet satelitore, fusha të tjera bankare, shkëputje e vendit agresor edhe nga sistemi i pagesave të tilla si viza materkart dhe përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Këto janë sanksione të diskutuara shumë të rënda.
I pyetur nëse këto sanksione mund ta ndalin Rusinë, duke marrë parasysh dhe deklaratën e sotme të presidentit ukrainas i cili tha se jemi të vetëm përballë agresionit rus, ambasadori Shkurov është optimist dhe ende nuk shfaq zhgënjim nga Perëndimi.
Shkurov: Nuk është një pyetje e lehtë por sot Ukraina shpreson që përmes këtyre sanksioneve të rënda do të arriojmë të ndalojmë agresorin.Të gjithë e kuptojnë frikën e Luftës së Tretë Botërore.
Mendoni se kjo përplasje mes Ukrainës dhe Rusisë mund të shtrihet dhe më tej në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh tensionet në Bosnje Hercegovinë.
Shkurov: Në momentin e parë që po flasim nuk mendoj se diçka e tillë mund të ndodhë. Ne vazhdojmë të shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje për të parandaluar përkeqësimin e situatës. Ne e kuptojmë të gjithë se në shekullin XXI të përshkohen kufijtë përmes tankeve është diçka që të gjithë duhet ta harrojnë.
A ka mbështetje për të strehuar të larguarit?
Shkurov: Me të gjitha vendet e huaja me të cilat Ukraina ka kufij, me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë, është zhvilluar një koordinim i tillë, dialogu po vazhdon. Ekzistojnë mekanizma të përshtatshme dhe po përgatiten vendet e nevojshme të strehimit, spitale etj.
Ka një lajm të fundit se Kremlini është i gatshëm për tu ulur në negociatat me Ukrainën. E shihni këtë si pozitive që mund të parandalojë bombardimet e nisura mëngjesin e djeshëm apo kjo është një lëvizje taktike djallëzore e Presidentit rus?
Shkurov: E dimë për këtë gatishmëri. Para pak kohësh presidenti i Ukrainës ka bërë sërish një prononcim për popullin e vet dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për dialog. Si diplomat që jam unë mbështes të gjitha vendimet nëpërmjet tavolinës së dialogut. Këtu bëhet fjalë për nivelin e njerëzve që marrin vendime për popullin që përfaqësojnë.



