“Ekipi i ri filtrimi i Bashës”/ Kadilli: Sot nuk ka një PD zyrtare, në vend të Bashës po flet Berisha
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Ish-kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli, ka komentuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ditën e djeshme ku edhe u zgjodhën emrat e ekipit të ri të kryesisë të PD-së.
Kadilli është shprehur se ekipi i ri është ajo që Kryedemokrati Basha ka filtruar sipas shijes së tij.
Më tej thotë se PD është përballë një sfide politike, ndërkohë që sipas tij kreu i opozitës nuk mban përgjegjësinë e të qenurut kryetar partie.
Kadilli thekson se Basha sot nuk ka PD zyrtare pasi në vend të Bashës, flet ish-Kryeministri Sali Berisha
"Është ekipi i Bashës dhe nuk ka asnjë ngjarje përtej Bashës dhe kështu do duhej të ishte. Unë propozova që kryetari i partisë, kryesinë duhet ta kompozojë me ata që do të jenë nesër qeveria hije. Nuk ka nevojë të ja ushtrojë këtë një votimi formal të Këshillit se emëron vetë. Ai thotë se ky është ekipi imi, por bashkë me këtë merr edhe përgjegjësinë se nëse humbet largohet. Bashës i pëlqen pjesa e parë që i jep autoritet të emërojë vetë ekipin e tij, por nuk i pëlqen pjesa e dytë e mbajtjes së përgjegjësisë dhe merr nga propozimi im pjesën që i pëlqen.
Nëse sot kryesia e PD do të ketë ndoshta 38-39 veta anëtarë, 25 prej tyre janë të emëruar nga kryetari Basha. 15 zgjidhen. Domethënë 2/3 janë emërtesë dhe 1/3 zgjidhet. Çfarë del nga vota nuk vlen përballë 2/3, përballë emërimit. Por përgjegjësinë e të qenurit kryetar partie nuk e mban dhe nuk ka për ta mbajtur asnjëherë, jo në rast humbje por as si kryetar. Përballë kemi një mungesë të projektit politik dhe kryetari i partisë nuk flet, nuk shprehet nuk mban qëndrim, flet ish-kryetari, por jo kryetari. Ekipi i ri është thjesht Basha çfarë ka filtruar sipas shijes së tij."
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.

