Arrestohet Altin Morina, efektivi i RENEA-s u kap me 113 mijë euro në makinë

Shefi i sektorit të stërvitjes në repartin e forcave speciale RENEA, u arrestua nga kolegët e tij në Tiranë me rreth 120 mijë euro në një automjet luksoz. Altin Morina po hetohet për pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre pasi shuma monetare që dispononte me vete dyshohet se nuk justifikohet me burime të ligjshme.

Një zyrtar i lartë i repartit special RENEA u arrestua nga policia në Tiranë me akuzat për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje të ardhurash.

Altin Morina, 43 vjec, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special policor u ndalua pasi në automjetin me të cilin po lëvizte, u gjetën sasi të mëdha monetare.

Aksioni ka nisur në orët e mesditës, kur agjentët policorë kanë marrë informacion se efektivi i RENEA-s qarkullonte me automjetin tip "Audi" dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash.

Për ndjekjen e tij janë angazhuar shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" të cilat kanë bërë ndalimin e 43-vjeçarit në zonën e Kodrës së Diellit.

Oficeri i RENEA-s është shoqëruar bashkë me mjetin në ambientet e policisë së Tiranës ku më pas është kryer edhe kontrolli fizik i Morinës dhe automjetit që ai drejtonte.

Burimet zyrtare thanë se gjatë kontrollit të automjetit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, në vendin e parë, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte kartmonedha lekë, euro dhe paund. Konkretisht nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Burimet e policisë thanë se në përfundim të veprimeve hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i efektivit altin Morina, ndërkohë që dosja ndaj tij i kaloi Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”  dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

EMISIONET