Editoriali i Drejt - Koka - Kokë turku për të fshehur kokat e tjera, Apo instrument në shërbim të kryekokës?
Ndër disa ngjarje të kësaj jave dhjetori gjendur mes dy kuvendesh të Partisë Demokratike, lajmi për arrestimin e ish - ministrit të mjedisit në mandatin e parë qeverisës të Kryeministrit Edi Rama, kaloi në plan të dytë si lajmin për arrestimin në Romë të ish - Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llalla, ashtu edhe skenat e dramës që po luhet me Partinë Demokratike, ku një palë akuzon tjetrën e tjetra i kthehet palës akuzuese me akuzat e veta.
SPAK-u të paktën ia doli të shfaqet më në fund se ekziston, sado që ende jo bindës aq sa për të na dëshmuar se e meriton besimin.
Çështja e bujshme e inceneratorëve apo e thënë ndryshe furrat e djegies së mbetjeve, me fakte e dëshmi të shumta korruptive e kriminale është bërë e njohur e prej kohësh ka qenë e depozituar në zyrat e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, por ja që më në fund SPAK-u vërtetë pak, por diçka bëri, të paktën sa për fillim.
Arrestimi i ish - ministrit të mjedisit Lefter Koka është vetëm një episod i gjithë asaj dosjeje që BIRN më së pari e ka bërë publike me kohë, e po ashtu raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, disa portale e media e kanë parathënë, atë që LSI dhe PD e kthyen edhe në një kallëzim konkret.
Veprimi i vonuar, madje më shumë se i vonuar, veprimi i cunguar i SPAK-ut, të krijon përshtypjen se pjesës tjetër të grupit të implikuar sa apo më shumë se Lefter Koka, të paktën referuar shkresave zyrtare ku gjenden emra dhe firma personash përgjegjës, po iu lihet kohë që të mund të fshehin gjurmët, në mos të fshihen pas Kokës, i cili në këtë rast nuk e dimë në është kokë turku apo një instrument në shërbim të kryekokës.
I mbetet SPAK-ut të hetojë me paanësi dhe me vendosmëri, por arrestimin e Lefter Kokës nuk mund ta përdorë për të na thënë se sa i vendosur është në luftën kundër korrupsionit dhe as për të fituar besueshmërinë e munguar të qytetarëve.
Lefter Koka nuk është koka e aferës korruptive të inceneratorëve. Duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, hetimi duhet të zbardhë si u inicuan projektet e incineratorēve, si u përzgjodhën firmat, kush ishin kontaktet e para të pronarëve të firmave, si u përgatitën ofertat, cilët ishin zyrtarët e implikuar, si u përgatitën dhe si u dorëzuan dosjet, si u bënë procedurat deri në vendimmarrjen në Këshillin e Ministrave, cili ka qenë diskutimi në mbledhjen e qeverisë, cilët nga ministrat kanë qenë pro dhe cilët kundër koncensioneve për inceneratorët, si u morën dhjetëra vendime brenda 24 orëve, kush i kërkoi e kush loboi për ato vendime, si u detyruan dhe kush i detyroi kryetarët e disa bashkive të nënshkruanin kontratat me kompanitë e inceneratorëve dhe cilët janë këto kryetarë bashkish?
Po kryetarët e bashkive që nënshkruan kontratat mbi çfarë kriteresh kanë vendosur, a kanë përgjegjësi edhe ata?
Kush ka urdhëruar të kryhen pagesat për llogari të kompanive të inceneratorëve dhe kush është përkujdesur që atyre t’u shkonin paratë edhe në kulmin e pandemisë dhe si janë kryer ato pagesa?
Pra, kuptohet që është një labirint i tërë veprimesh të organizuara kriminale, të cilat edhe po të donte Lefter Koka nuk mund t’i kryente i vetëm.
Procesi i nisur duhet t’u dëshmojë shqiptarëve se kush po tallet dhe po vjedh në kurriz të tyre dhe t’i provojë drejtësisë se të gjithë ata që janë të implikuar do të përgjigjen para saj.
Lefter Koka nuk është as peshku i madh dhe as koka e madhe e peshkut të madh!

