Editorial i DREJT - Shqiptarët përgjysmë në gjysmë Ballkanin e Hapur
Prej shumë kohësh, por më veçmas prej kur u shemb komunizmi e tëhu përgjatë tri dekadave, gjysma në kuptimin e pjesës, ka qenë ndër ne shqiptarët si një dëshmi ndarjeje, e në shumë raste edhe si një referencë a tregues papajtueshmërie.
Pothuaj gjithmonë njëra gjysmë është shfaqur kundër tjetrës edhe kur na është dashur të gjykojmë e vendosim për fatin dhe të ardhmen, aq sa edhe historia jonë më së shumti ka qenë histori gjysmash apo pjesësh.
Pa dashur të referoj apo të merrem gjatë me historinë, sidomos atë të pas vitit 1912 që lidhet me shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe ngjarjet që e pasuan atë e që Shqipërinë e ndanë në dy gjysma, lufta për çlirimin e Kosovës na dha shansin dhe na krijoi mundësinë të linim mënjanë gjysmat tona ne këtu në Shqipëri dhe ata, shqiptarët atje në Kosovë, dhe të shfaqeshim më në fund njëherë të bashkuar në qëllimin tonë, lirinë e gjysmës së pushtuar.
Nën moton “Një komb një qëndrim”, u braktisën dasitë, u harruan parimet dhe ideologjitë e partive dhe me një gjuhë e nën një flamur, të bashkuar përballë interesit kombëtar u bëmë bashkë e në krah të njëri-tjetrit.
Ëndrra e lirisë dhe ideali i bashkimit ushqyen e i dhanë jetë luftës çlirimtare të Kosovës, duke na dhënë kësisoj shtetin e dytë të shqiptarëve, në gjysmën tjetër të gjysmës tonë.
Evropa e Bashkuar, ëndrra e integrimit në të e bashkimi atje brenda bashkësisë ku nuk ka gjysma, na ka “imponuar” ne shqiptarëve të dy shteteve të pranojmë sërish gjysmën si koncept, si filozofi, jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por edhe si qasje me vetveten.
Një komb, por dy shtete, një gjuhë por dy flamuj, dy parlamente, dy qeveri dhe kufiri në mes.
Nisma për Ballkanin e Hapur na gjen përgjysmë.
Gjysma e Tiranës është atje ku nuk është gjysma e Prishtinës; në gjysmë Ballkanin e “hapur” që me aq sa duket, do të jetë edhe ai vetë pa gjysmën e vet.
Politika shtetërore në të gjithë komponentët e vet, edhe me diplomacinë si një përbërëse të rëndësishme, nuk mund të mos ketë në boshtin e vet interesin kombëtar.
Kjo do të thotë se çdo qëndrim, çdo veprim dhe çdo hap i ndërmarrë nga njeri shtet i shqiptarëve, nuk mund e nuk duhet bërë pa konsultimin dhe bashkëpunimin edhe me shtetin tjetër të shqiptarëve, me të cilin na bën dy gjysma kufiri që na e kanë imponuar të tjerët.
Vullneti i mirë për t’u përfshirë në proceset e bashkëpunimit rajonal dhe për të krijuar edhe në zonën e “Fuçisë së Barutit” të Evropës modelin e Bashkimit Evropian në përpjekjen për t’u anëtarësuar në të, nuk mund dhe nuk duhet t’i ndajë shtetet shqiptare nga njëri-tjetri.
Shqipëria dhe Kosova kanë detyrimin kombëtar të jenë bashkë, më parë se njëra të jetë në gjysmën e “hapur” të Ballkanit bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe tjetra, në gjysmën e “mbyllur” bashkë me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Një komb - një qëndrim nuk është një slogan dhe as ndonjë gjetje folklorike e mbartur për retorikë patriotike.
Një komb - një qëndrim është filozofia e ekzistencës tonë, përkatësisht duhet të jetë edhe filozofia e integrimit.

