Editorial i Drejt - Shëndetësia përballë nevojave të qytetarëve
Nderimi dhe mirënjohja për punën e palodhur dhe me përkushtim të mjekëve dhe gjithë personelit mjekësor, është padyshim më e pakta që mund të bëjmë të gjithë ne, ne qytetarët, por edhe shteti gjithashtu.
Mirëpo vetëm nderimi dhe mirënjohja nuk mjaftojnë, sepse siç ka thënë edhe Hipokrati, “Shërimi është çështje kohe, por është edhe çështje mundësish”.
E nëse flasim për mundësitë, a i janë krijuar sistemit tonë shëndetësor mundësitë që ai të përballojë sfidat e shërbimit cilësor dhe efikas përballë qytetarëve?
Nuk është një pyetje të cilës duam ti japim përgjigje, por një thirrje për ta parë me realizëm gjendjen, sepse në fund të fundit çdo gjë është e lidhur me jetën e njeriut.
Entuziastët do të përgjigjeshin menjëherë: përmirësimet janë të pakrahasueshme, janë rritur pagat, janë bërë me qindramilionë euro investimi, rilindja bashkë me veten rilindi edhe shëndetësinë e madje realizoi edhe shëndetësinë falas.
Ndërsa skeptikët do të thonin; korrupsioni është rritur, tenderat u zëvendësuan me koncesione dhe e gjitha është vetëm propagandë.
Disa vite më parë kur emëroi ministren e shëndetësisë që më parë ishte drejtore e QSUT, Kryeministri Edi Rama pati thënë:
“Mjafton të kujtojmë, -mua ma kujton memoria, juve ua kujton kurrizi, – kronikat e televizioneve 3 vjet e gjysmë më parë, kur mblidheshin njerëzit dhe ulërinin nëpër kangjella me receta nëpër duar, se s’kishte ilaçe”.
Pa dashur të ekzagjerojmë, kjo ishte e vërtetë.
Po sot 8 vjet e gjysmë nga koha e Rilindjes cila është gjendja?
Në Shqipëri, familjet me fëmijët e sëmurë nga leucemia po përballen me vështirësi të shumta prej mungesës së ilaçeve kryesore tek Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Vetëm pak ditë më parë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehu shqetësim të thellë për këto vështirësi të përsëritura me vite, dhe e vlerësoi si një diskriminim të shumëfishtë, që u bëhet këtyre fëmijëve nga ministria e shëndetësisë dhe nga spitali.
Ndërsa “Ministria e Shëndetësisë” nga ana e saj, sqaroi se janë gjetur mjekime alternative, pasi kanë dështuar prokurimet për disa ilaçe specifike”.
E çfarë do të thotë dështuan prokurimet, kur është fjala për të ndarë jetën nga vdekja?
Ndaj duke iu rikthyer edhe një herë pyetjes: a është në gjendje sistemi ynë shëndetësor të përballojë sfidat e shërbimit ndaj qytetarëve?
Kjo është çështja, për zgjidhjen e të cilës me sa duket Rilindja nuk mjafton!

