Edhe këtë vit shkolla me turne, Çifligu: Vonesat e librave për shkak të regjistrimeve të vonuara

Edhe pse rreth 85% e arsimtarëve janë vaksinuar kundër covid 19, shkollat pritet të nisin mësimin me turne edhe këtë vit në varësi të kapaciteteve.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të arsimit parauniversitar, Fiqiri Çifligu sqaron se në funksion do të jenë të katër skenarët e miratuar nga ministria e shëndetësisë.

"Në udhëzimin e këtij viti është parashikuar që shkollat mund të përzgjidhen , sipas një nga skenarët që kanë përdorur vitin e kaluar, në varësi të numrit të nxënësve dhe hapësirën që kanë në klasat e tyre. Pasi kemi në fuqi një protokoll, i cili kërkon zbatimin e masave konkrete."

Të hënën pritet të nisë viti i ri shkollor, dhe librat janë ofruar falas për rreth 280 mijë nxënës. Në lidhje me vonesat e disa teksteve, Çifligu thotë se kjo situatë vjen nga gabimet që mund të jenë bërë në llogaritjen e numri të nxënësve.

"Nga distributorët nuk kemi pasur pengesa. I vetmi problem ka qenë parashikimi që kanë bërë drejtuesit e shkollave për sasinë e teksteve që kërkonin për shkollën e tyre. Kjo u kushtëzua  dhe nga mënyra e procesit të regjistrimit këtë vit, nëpërmjet aplikimit online në e-Albania."

Risi për këtë vit është lënda e anglishtes me detyrim për klasat e para.

"Kemi risi këtë vit, shtimin e gjuhës angleze në klasën e parë. Në lidhje me këtë tekst ka pasur një garë që është hapur në fund të vitit shkollor, pasi u vendos që gjuha angleze do të ishte e detyrueshme në klasën e parë. Ndarja mund të ketë ndonjë problematik, për shkak të kohës së shkurtër  që u zhvillua ky proces. Por data 27 do t'i gjej gjithë nxënësit të pajisur me tekste shkollore."

Megjithatë, drejtori i drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar garanton se në 27 shtator të gjithë nxënësit do të jenë pajisur me librat e nevojshëm për procesin mësimor.

EMISIONET