E vranë në derë të shtëpisë, policia në aksion për kapjen e autorëve që ekzekutuan 45-vjeçarin

Prej gati 3 orësh vijon operacioni policor në Tepelenë për kapjen e autorit apo autorëve të vrasjes së 45-vjeçarit Çajup Selimi, i cili u ekzekutua në derën e pallatit ku banonte ne lagjen "15 Shtatori".
Forca të shumta të patrullës “Shqiponjat” dhe oficerë të hetimit të krimit ndodhen në Tepelenë për krehjen e zonës.
Në të gjitha akset janë ngritur postblloqe ndërsa forca të shumta policie kanë zbarkuar nē të gjithë qytetin, derisa të bëhet i mundur dhe kapja e autorit ose autorëve.
Në terren është edhe kreu i policisë së Gjirokastrës, Fatmir Hoxha. Burimet thonë për Ora News se autorët ose autori mund te jenë larguar pasi me herët po të njëjtat burime thanë se ai ose ata fshiheshin në nje prej pallateve të lagjes por policia ka krehur gjithë lagjen dhe ende nuk ka arritur të bjerë në gjurmë te autorëve të vrasjes.
