E pazakontë në Shkodër, breshëri mbulon rrugët

Pamje të tilla në Shkodër nuk mbahen mend ndonjëherë.

Në mëngjesin e së premtes rrugët ishin të mbushura aq shumë me breshër, sa dikush që nuk do të kishte dijeni për reshjet e mbrëmshme, do të vinte bast se në Shkodër ka rënë dëborë.

Në fakt, e gjithë situata u krijua pas një stuhie gjatë orëve të natës. Intensiteti i tyre bëri që rrugët t’i përngjanin lumenjve.

Të nesërmen, për pastrimin e mbetjeve të breshërit, në disa zona të qytetit u kërkua ndërhyrja e mjeteve të rënda.

Ndërsa në qytet rrugët iu rikthen normalitetit, këto pamje tregojnë dëmet shkatërruese në zonat rurale.

Perimet në fushë, vreshtat dhe pemët frutore ishin dëmtuar. Fermeri, Arben Pashuku, tregon goditjen që i dha natyra.

"Kjo është fatkeqësi natyrore, vetëm këtu më ka bërë 800 mijë lekë dëm. Shteti ta shohë këtë punë dhe të vërë dorën në zemër për ne."

Në të gjithë fshatin Kuç llogariten dëme të shumta.

"Ka kriju dëme të jashtëzakonshme në territorin e njësisë administrative të Gurit të Zi. Deri ta evidentohen rreth 350 ha me të mbjella."

Dëme janë shkaktuar dhe në rrjetin e energjisë elektrike. Linja 35 kilovat në Fushë-Arrëz është këputur, duke lënë pa energji elektrike që prej mesnatës së kaluar të gjithë zonën e Pukës.

 

EMISIONET