E ndarë në 160 pako, droga çokollatë që ju gjet babë e bir në banesë, e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës

Kjo është droga e përpunuar në formën e çokollatës që u sekuestrua në banesën e shtetasit Sami Qordja në rrugën “Rexhep Tarja”.

48.5 kilogramë lëndë narkotike ishte ndarë në 160 pako.

Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet në përdorim të këtij shtetasi dhe dy aparate celulare.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sami Qordja, 43 vjeç dhe i djalit të tij Kevin Qordja, 19 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe "Trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera nga policia dhe prokuroria ka rezultuar se babë e bir, Sami dhe Kevin Qordja, ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.

Ndërkohë në Tujan u sekuestruan 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular. Në pranga ra  Ramazan Qordja, 31 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ramazan Qordja merrej me shitjen e lëndës narkotike heroinë, në doza, të cilat i shiste në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale

EMISIONET