Stuhi gushti në Shëngjin, dy pushues rrezikuan të mbyten, shiu boshatis plazhet
Dy pushues rrezikuan jetën në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin që këtë të martë u përfshi nga moti i keq me erë e shi. Ndryshimi i motit largoi pushuesit, çka shkaktoi kaos në rrugët e zonës bregdetare.
Dy pushues rrezikuan të mbyten në plazhin e Ranës së Hedhur në Shëngjin, ku deti ishte i trazuar për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike.
Fillimisht në vështirësi ishte një e moshuar, të cilës i shkoi në ndihmë një tjetër person dhe më pas rrezikuan të dy.
Ata u dërguan me urgjencë në Spitalin e Lezhës, ku pas ndihmës së parë raportohen se janë jashtë rrezikut për jetën.
Rajoni i Lezhës u përfshi këtë të martë nga reshje shiu dhe erëra.
Përkeqësimi i motit zbrazi plazhet.
Pushuesit ikën.
Por lëvizja e menjëhershme me makina shkaktoi kaos dhe trafik të rënduar në rrugë.
Rruga e Shëngjinit dhe segmenti Milot-Balldre kthehen në problematike sa herë që shtohet fluksi i makinave.
Edhe pse reshjet e shiut u rikthyen në disa zona të vendit, parashikimet janë se në ditët në vijim moti të jetë i qëndrueshëm e me diell.
