Dy muaj para krimit mohonte dhunën ndaj gruas: Dua që Liljana të më japë një shpjegim ku u dëmtua

Ish polici Koço Buzo i cili ekzekutoi me armë gruan e tij tre ditë më parë në Elbasan kishte mohuar vazhdimisht dhunën ndaj të shoqes edhe pas denoncimeve që ajo kishte bërë ndaj tij.

Më 17 mars 2021, autori i krimit është marrë në pyetje në prokurorinë e Elbasanit duke mohuar gjithçka madje duke I kërkuar llogari viktimës.

“Dua që Liljana të më japë shpjegime edhe mua se ku i ka marrë ato dëmtime” ka thënë ai.

“Ora News”, publikon dëshminë e Koço Buzos i cili mohon akuzat.

“Nuk e kam goditur asnjëherë Liljanën. Nuk kam arritur në atë pikë sa të ushtroj dhunë ndaj bashkëshortes time,” ka deklaruar Buzo në prokurori.

Ai ka shpjeguar dhe debatin që ka pasur me të shoqen në 7 nëntor 2020 duke pretenduar se Liljana qëndronte me maskë edhe pse ai nuk kishte parë shenja dhune në fytyrën e saj.

 “…Jo nuk e kam goditur asnjeherë Liljanën, nuk kam arritur asnjëherë në atë pikë sa të ushtroja dhunë ndaj bashkëshortes time…,” është shprehur pasi është pyetur nëse kishte ushtruar dhunë ndaj gruas.

Hetuesit i kanë kërkuar sqarime edhe nëse e ka kanosur me fjalë por ka mohuar.

“Jo nuk i kam thënë asgjë nga këto fjalë, nuk e kam kanosur asnjëherë. Për marrëdhëniet që unë kam me Liljanën, kanë dijeni dy qeraxhinjtë që kam unë në banesën time dhe i kam dhënë ambjente me qëra, kanë vite që jetojnë aty.”

Koço Buzo doli sot para Gjykatës së Tiranës ku mori masën e sigurisë “arrest me burg” për vrasjen e bashkëshortes së tij Liljana më 6 maj 2021.

Bajram Kllogjeri, avokati i të pandehurit e ka pranuar masën e dhënë nga Gjykata duke e cilësuar mjaft të rëndë krimin e kryer nga klienti i tij, por  ka theksuar se klienti i tij e ka kryer krimin në një moment të rënduar psikologjik, pasi që nga koha kur gruaja i kishte thenë që do të divorcohej e kishte përjetuar mjaft keq.

EMISIONET