Dy kushërinjtë bëjnë për spital 52-vjeçarin pas sherrit, policia i arreston
Plagosën me sende të forta një 52-vjeçar pas konfliktit, arrestohen dy kushërinjtë e dyshuar në Lushnjë.
Enea Zhuri dhe Marjo Zhuri, 35 dhe 31 vjeç janë dy familjarët e prangosur sot nga blutë e qyetit myzeqar, kurse ngjarja ka ndodhur dje në lagjen “Gafurr Muço”.
“Ditën e djeshme, pas njoftimit të marrë se në një lokal në lagjen “Gafurr Muço”, 2 shtetas kanë ushtruar dhunë ndaj një tjetri, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 2 autorëve të dyshuar. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasit E. Zh., 35 vjeç dhe M. Zh., 31 vjeç, banues në fshatin Qerret i Ri”, bëri me dije policia vendore.
Sipas dinamikës dhe hetimeve paraprake rezulton se për motive të dobëta ata kanë goditur me grushte dhe sende të forta A. Gj., 52 vjeç, banues në fshatin Jeta e Re, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve dhe pa rrezik jete.
Hetimet e mëtejshme i kaluan prokurorisë vendore, për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

