Dy ish-policë dhe 2 komshinj të Beqirit dëshmojnë në gjyqin kundër Çapjave në SPAK
Dy persona që kanë shërbyer gjatë vitit 2012 në Elbasan si punonjës policie, u paraqitën dje si dëshmitarë në Gjykatën e Posaçme, duke dëshmuar në procesin gjyqësor të sapo filluar, kundër Ardjan Çapjas, Etjen Canit, Klajdi Dokolit dhe bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhi.
Katër emrat e mësipërm, së bashku me Florenc Çapjan, i larguar në Dubai dhe Olsi Lekun, i arrestuar në Athinë të Greqisë, akuzohen nga Prokuroria e Posaçme SPAK, si autorë të vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit, ngjarje kjo e ndodhur në 15 gusht 2012 brenda në banesën e tyre në Elbasan.
Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje që tronditi, Elbasanin, në gjykatë janë paraqitur katër dëshmitarë, Lorenc Skirja, ish-policët Sami Derstila, Dashamir Bezhani dhe Leonard Xhika,komshiu i dy viktimave.
“Ora News” mëson se ish-punonjësi i policisë, Sami Derstila, kishte për detyrë të ruante Gentian Beqirin, pasi ai ishte në masën e “arrestit në shtëpi”, për ngjarjen e vrasjes së Sokol Çapjas. Derstila, i ka treguar gjykatës së posaçme se ditën kur janë vrarë, babë e bir, ai ishte me shërbim, poshtë hyrjes së pallatit.
“…detyra ime ishte të ruaja, Beqirin që të mos ikte nga shtëpia dhe ti shmangej drejtësisë, pasi në gjykatën e Elbasanit ai kishte një proces gjyqësor për vrasje…”-ka thënë Sami Derstila.
Dëshmitari, ka treguar se nuk ka parë personat që janë futur në hyrje të pallatit, pasi së bashku me kolegun e tij, Neshat Budani, ata kishin zbritur poshtë pallatit dhe po qëndronin brenda në makinën e tyre private.
“…rreth orës 8:30, kam zbritur në sheshin para pallatit ku kam ndenjur 30 minuta, a më shumë. Më pas bashkë me Neshatin jam ngjitur në banesën e Gentianit, në katin e 5-të të pallatit. Unë kam trokitur dhe nuk më është përgjigjur ndonjë person. Kam shtyrë derën dhe ajo është hapur, e kam parë të shtrirë në dysheme të atin e Gentianit. Menjëherë, i kam thënë Neshatit, të njoftojë policinë. Më pas menjëherë në vendngjarje ka ardhur policia…”-ka deklaruar Derstila.
Më tej në dëshminë e tij, ish-polici pohoi se për këtë ngjarje ai ishte dënuar nga gjykata e Elbasanit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Para gjykatës u paraqit dhe dëshmitari, Lorenc Skirja, shoku i lagjes që hynte e dilte shpesh në banesën e viktimës, Gentian Beqiri.
“…Gentianin e kisha shok fëmijërie dhe që nga koha që ka qënë “arrest shtëpie”, unë e kam vizituar 8-9 herë. Shkoja për të luajtur me të, kur ai mërzitej. Në banesë ishin babai i tij dhe nëna, të cilët e hapnin derën vetëm pasi shikonin nga syri magjik, sepse zile në derë nuk kishin. Policët herë rrinin tek dera, por më shumë rrinin në katin e parë apo në makinë, gjithashtu ata nuk më kanë kontrolluar asnjëherë, vetëm më pyesnin se ku do të shkoja dhe kaq, vijoja ngjisja shkallët për në apartamentin e Gentianit…”-ka treguar Lorenc Skija.
Një tjetër dëshmitar ka qenë Leonard Xhika, komshi i dy viktima, i cili është personi i vetëm që ka parë në ikje e sipër dy killerat.
“…unë kam qenë në ballkon, kur kam vënë re dy persona, njëri trup vogël dhe tjetri trup madh dhe i mbushur, kur po zbrisnin me vrap nga shkallët. Ballkoni im ndodhet përballa pallatit ku jetonte Gentjani me familjen.
Shkallët e pallatit të Gentjanit janë të hapura, kanë pamje nga brenda dhe jashtë dhe aty kam parë dy personat që vraponin. Kur kanë zbritur poshtë pallatit, ata janë ndarë duke ikur në drejtime të ndryshme.
Unë nuk ka arritur t'i njoh se cilët ishin këta persona, por kam parë teksa ata largoheshin me vrap…”-ka thënë dëshmitari, Leonard Xhika.
Mes dëshmitarëve, ka qenë dhe një ish-punonjës i policisë rrugore, Dashamir Bezhani, i cili ka treguar detaje rreth ndjekjes së makinës tip “Benz-Mercedez” që kanë përdorur autorët e krimit.
Pritet që në seancën e datës 24 nëntor 2021, në gjykatë të paraqiten Behije Arapi, nëna e Gentianit dhe gruaja e Nezirit, motra dhe vëllai i Gentianit.

