Dy dimra pa çati/ Tërmeti u shembi shtëpinë, familja në Lezhë harrohet në konteiner
I ftohti i dimrit e gjeti sërish në kontejner, familjen Bregaj në Torovicë të Lezhës.
Shtëpia ku ata jetonin u shkatërrua nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe prej asaj kohë, asgjë nuk ka ndryshuar për 4 anëtarët e familjes.
Sëmundjet kronike nga të cilat vuan kryefamiljari dhe një nga fëmijët e çojnë në kufijtë e mbijetesës sfidën me të cilën përballen.
Angjelina Bregaj, thotë se në vazhdimësi ka trokitur në dyert e institucioneve, por ende nuk ka marrë dritë jeshile për çatinë e re mbi kokë.
"Kam bërë 100 letra, asnjë përgjigje nuk më kanë dhënë."
Dimri që ka nisur i ashpër, do të jetë i vështirë për familjen Bregaj, ndaj nëna ka një thirrje.
"Kërkoj prej Zotit në radhë të parë, dhe prej shtetit e dyta, veç të më bëjnë shtëpinë."
Bashkia Lezhë ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019-të, i cili la të pastrehë rreth 500 familje.
Deri tani janë shpërndarë 86 apartamente, ndërsa synohet që i gjithë procesi i rindërtimit të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të vitit 2022.


