Durrës/ Tritol bizneseve të Noizyt, i dëmtojnë lokalin dhe dyqanin. Merret dëshmia e Noizit dhe e Klevios
Nga disset me rima në rrjetet sociale dhe sherret me grushte tek shpërthimet me eksploziv. Dy biznese në pronësi të reperit Rigels Rajku i njohur me emrin e artit si Noizy u sulmuan me eksploziv në Durrës mëngjesin e 8 qershorit. Në dëshminë e parë, këngëtari e orientoi hetimin tek një konflikt që ai ka me reperin tjetër të njohur si Klevio.
Biznese të reperit Rigels Rajku i njohur me emrin e artit si Noizy, u sulmuan me eksploziv, në orët e para të mëngjesit të 8 qershorit në lagjen 13 në Durrës.
Tritoli ishte vendosur pranë një butiku të linjës së rrobave ‘Illyrian bloodyline’ që rezulton i marrë me qira nga babai I këngëtarit Bashkim Rajku.
Mbi të në katin e dytë ndodhet lokali ‘Rigels Shisha Lounge’ që po ashtu është dëmtuar
Sulmi me tritol sipas policisë ndodhi në orën 04:24 të mëngjesit.
Edhe për shkak të orarit, kur nuk kishte lëvizje, fatmirësisht nuk pati të lëndur, por siç tregojnë pamjet dëmet materiale ishin të mëdha.
Nuk dihet sasia dhe lloji i eksplozivit të përdorur, por shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka dëmtuar edhe banesa e biznese në zonë, dhe ka krijuar panik mes banorëve.
Tritolvënia në bizneset e Noizy-t vjen dy ditë pas një konflikti mes tij dhe reperit tjetër Klevio Ahmetaj
Në dëshminë e parë në Policinë e Durrësit, edhe këngëtari e ka orientuar hetimin në këtë pistë.
Në një video të bërë virale në rrjetet sociale, Noizy shfaqej duke u përplasur fizikisht me rivalin e e njohur me emrin e artit Cllevio, (Klevio) ngjarje për të cilën është nën hetim këgëtari dhe babai i tij.
Ndaj dyshimet janë se sulmi mund të jetë hakmarrje.
Në kuadër të hetimit, mësohet se është marrë në pyetje edhe reperi tjetër Klevio Ahmetaj i arrestuar në Lushnje për thyeje të masaës arrest shtëpie.
Burime thonë se kamerat e sigurisë në zonë kanë fiksuar dy persona të cilët kanë kaluar në këmbë pranë bizneseve të këngëtarit dhe dyshohet se mund të jenë autorët e tritolvënies.
Njoftimi i policise: Durrës/Informacion paraprak
Më datë 08.06.2022, rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13, në një ambient (butik rrobash) të marrë me qira nga shtetasi B.R., ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ve.
