Durrës/ Vdiqën dy fëmijë, dy shpëtuan. Dy shoferët që shkaktuan aksidentin tragjik ishin të dehur

Xhoni Muço 22-vjeç dhe Sokol Kovaçi 47-vjeç, dy shoferët që shkaktuan aksidentin tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë janë vënë në pranga nga policia.

Aksidenti i rëndë u shënua mbrëmjen e 8 shkurtit 2022 në aksin ura e Dajlanit-Shkozet.

Sipas policisë 22-vjeçari Xhoni Muço me mjetin e tij përplasi motorçikletën e drejtuar Sokol Kovaçi, ku ishin edhe 4 fëmijë, dy nga të cilët fatkeqësisht mbetën viktima.

15 vjeçari Franci Kovaçi humbi jetën në vend, ndërsa 13 vjeçari, Danjel Habibi ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Durrësit për shkak të plagëve të rëndë që kishte marrë.

Sipas të dhënave Xhoni Muço po lëvizte nga Ura e Dajlanit në drejtim të Shkozetit dhe rreth orës 22:40 ka përplasur motoçikletën e modifikuar me karrocë.

Testi i alkoolit provoi se 22 vjeçari ishte në gjendje të dehur, ndërsa sipas ekspertizës dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë,

I dehur ndërkohë rezultoi edhe drejtuesi i motoçliketës Sokol Kovaci, i cili humbi të birin në këtë aksident tragjik.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 22 vjeç dhe S. K., 47 vjeç, të dy banues Durrës, pasi më datë 08.02.2022, në mbrëmje, në rrugën “Bajram Tusha”, në lagjen nr.14, Durrës, 22-vjeçari, duke drejtuar mjetin në gjëndje të dehur është përplasur me një motomjet që drejtohej në gjendje të dehur nga 47-vjeçari dhe si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi F. K. dhe u dëmtua rëndë shtetasi D. H., i cili ka humbur jetën më vonë në spital. Gjithashtu, si pasojë e aksidentit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit D. Q. dhe M. A., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën" informoi sot policia e Durrësit.

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore mbetet shkaku kryesor i aksidenteve fatale në rrugët e vendit që përgjatë dy muajve të parë të vitit kanë qenë të shumta.

 

EMISIONET