Droga që priste ju sekuestrua dhe ai kërkon paratë mbrapsht nga transportuesi. Në pranga shqiptari/ Emri
Alfonc Cunaj, 30-vjeçari shqiptar, banues në Campione të Italisë, ka përfunduar në burg i akuzuar për tentativë zhvatjeje.
Mediat fqinje shkruajnë se Cunaj u arrestua nga karabinierët në ekzekutimin e një urdhër arresti, ku ai akuzohet se ishte nxitësi i një tentative zhvatjeje prej 19 mijë eurosh, të organizuar për të shlyer një borxh të dyshuar droge, të cilin viktima nuk e kishte paguar.
Nga hetimet u zbulua se ngarkesa, 12 kilogramë marijuanë, ishte sekuestruar nga karabinierët verën e kaluar, e gjetur rastësisht në një valixhe.
Por ajo sekuestro i prishi punë Cunajt, i cili duhet të merrte ngarkesën, që më pas ta shpërndante në tregun italian. Kështu personit, që mbante më parë ngarkesën e marijuanës, Çunaj i kishte ushtruar një sërë presionesh për të marrë paratë që i detyroheshin.
Hetimet nga karabinierët bënë të mundur rindërtimin e situatës së shkaktuar nga sekuestrimi i marijuanës dhe identifikimin e Cunajt, i cili deri më sot nuk i ka marrë paratë e tij dhe i mbrojtur nga avokatja Daniela Danieli, ai do të merret në pyetje së shpejti për të dhënë dëshminë e tij.