Dritarja në kamion kapi 324 kg kokainë në Durrës, u ndërpre skanimi dhe …

Dritarja në kamion kapi 324 kg kokainë në Durrës, u

Dalin detaje të reja nga sekuestrimi i kamionit me 324 kg kokainë në portin e Durrësit me 18 qershor.

Mësohet se Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rreth orës 13.00 të së premtes është njoftuar nga përfaqësues të skanimit në sheshin e trageteve në Portin e Durrësit, se gjatë procesit të skanimit të automjetit me targë SK3720AT me ngjyrë të bardhë i ngarkuar në eksport nga Maqedonia e Veriut me pllaka metalike dhe i drejtuar nga shtetasi maqedonas Nazif Ajroski, është konstatuar në serbratorin e krahut të majtë të karburantit një përshtatje në formë dritarje katërore të mbyllur me kapak dhe të ngjitur me silicon.

Menjëherë pas këtij dyshimi është ndërprerë skanimi dhe është njoftuar grupi hetimor për të ushtruar kontroll më të thelluar në të gjithë automjetin dhe në pjesën e përshtatur në serbratorin e krahut të majtë.

Gjatë kontrollit brenda hapësirës së përshtatur të serbratorit të majtë të automjetit, janë gjetur dhe më pas sekuestruar 300 pako të mbështjella me natriban me lëndë narkotike kokainë.

Pakot  kishin mbishkrime të ndryshme. 98 copë kishin mbishkrimin “Cachaca velho barreioro”, 53 copë me mbishkrimin “Paris”, 50 me mbishkrimin “Chicagho bulls”, 44 kishin të stampuar figurën e “Tigrit”, 24 copë me mbishkrimin “Dior” me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, 14 copë me mbishkrimin “X” dhe 17 paketime ishin pa mbishkrime.

Njëra nga këto pako është e dëmtuar në njërën anë.

Policia arrestoi drejtuesin e mjetit Nazif Ajrovksi nga Maqedonia e Veriut i cili tha se nuk kishte dijeni për sasinë prej 300 kilogramë drogë që u gjet në kamion, duke shtuar se ai kishte dijeni vetëm për ngarkesën me materiale ndërtimi.

Kamioni ku u gjet kokaina në një hapësirë të modifikuar pranë serbratorit, kishte hyrë në Shqipëri dy ditë më parë.

Kamioni me hekur që ka kaluar nga Serbia në Maqedoninë e Veriut e më pas në Shqipëri, mësohet se priste të nisej me target drejt Italisë ku si destinacion kishte qytetin e Napolit.

Pak javë më parë në Kosovë u sekuestruan 400 kilogramë kokainë në një kamion me mish nga Brazili që kishte kaluar nga porti i Durrësit.

Logot me ngjyrë të kuqe në disa prej pakove të kokainës të kapura së fundi në Durrës janë të njëjta me ato të pakove të drogës së bllokuar në Lipjan pak javë më parë.

Më herët në portin e Durrësit janë kapur edhe tri ngarkesa të tjera, konkretisht 49 kg kokainë në prill 2021, 137 kilogramë kokainë në shtator 2019, dhe 613 kilogramë kokainë në shkurtin e vitit 2018.

EMISIONET