"Do isha mjek onkolog…", Noka tregon a i druhet përjashtimit nga PD: Ambasada amerikane ka mbështetur Ramën jo Bashën
Deputeti Flamur Noka nuk ka asnjë shqetësim nëse retorika e tij e ashpër kundër kryetarit Basha mund ti kushtojë përjashtimin nga grupi dhe partia.
Duke kujtuar kontributin e tij 30-vjeçar në këtë parti, ai tha se interesi i tij i vetëm aktualisht është fati i PD-së, fati i demokracisë në Shqipëri.
Noka: Kam 30 vjet në këtë parti, kam ardhur që fëmijë. Po të ishte për interesat e mia dhe të karrierës time do të isha një mjek onkolog si kolegët dhe nuk do të kisha asnjë kokëçarje.Jam angazhuar në politike për të kontribuar për vendin tim, të ardhmen e këtij vendi dhe të fëmijëve të mi dhe gjithë shqiptarëve. Jam angazhuar dhe kam sakrifikuar 30 vjet, ajo që më dhemb sot është fati i PD-së, fati i demokracisë në Shqipëri. Lulzim Basha me atë vendim përçau PD, i dha një goditje fatale kësaj force politike. I vetmi njeri që është sot i gëzuar nga ky vendim është Edi Rama, ka çuar ujë vetëm te mulliri i tij. Nuk ka të bëjë me fatin e karrierës individuale të Flamur Nokës apo çdo individi. Karriera individuale e çdo individi brenda PD përballë fatit të gjithë demokratëve është zero, përballë fatit të demokracisë në Shqipëri është zero.
Me shqetësim, Noka tha se në Shqipëri po shkohet drejt instalimit të një sistemi politik të modelit kinez ku opozita emërohet, drejtohet dhe kontrollohet nga mazhoranca.
Ish-kryeministri Berisha ka shpallur nismën për mbledhjen e firmave për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD, kryedemokrati Basha nga ana tjetër e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
Noka thotë se nuk i druhet asnjë përplasje apo përçarje mes demokratëve. Ai nënvizoi se PD i duhet një lider dhe një ekip që e çdo drejt fitores.
Noka: Shumica absolute e demokratëve janë kundër vullnetit të shprehur të kryetarit të partisë. Kjo ishte arsyeja që nuk guxoi të konsultohet me strukturat, me institucionet apo të marrë vendimmarrjen e institucioneve. Prandaj e mori natën dhe individualisht. Foltorja është ajo që po i bashkon demokratët për një PD më të fortë, më të bashkuar, solide dhe fituese. Kjo parti që është sot nën drejtimin e Bashës nuk është fituese, demokratët kanë nevojë për një trupë drejtuese, për një lider, për një ekip që i çon drejt fitores dhe që i bashkon, jo ai që i përçan.
Pyetje: A është ky zoti Berisha?
Noka: Sigurisht që zoti Berisha është.
Deputeti demokrat tha se nuk ndihet i tradhëtuar nga kolegët që kanë mbështetur vendimmarrjen e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi.
Noka: Çdokush që i ka dalë në krah të vendimit të zotit Basha është i detyruar të dalë sepse u është kërkuar. Ju i keni parë si kanë dalë, kanë qenë të zbehur, zvenitur dhe të trysnuar. Asnjë nuk ka qenë pro atij vendimi, mirëkuptoj çdonjërin nga kolegët e mi.
Belind Këlliçi ndërkohë ka deklaruar se kanë pasur një ftesë në Ambasadën amerikane para vendimit të Bashës për përjashtimin e zotit Berisha.
Noka i pyetur nëse ka dijeni se cili prej deputetëve të PD ka qenë prezent dhe se a ka pasur vetë ai një ftesë të tillë, dha këtë përgjigje.
Noka: Nuk kam asnjë dijeni të tillë por një dijeni e kam që Ambasada e SHBA-ve gjatë kësaj periudhe nuk ka mbështetur për asnjë ditë Lulzim Bashën por ka mbështetur Edi Ramën.


