Në Durrës po përgatitet atentat? Kapet “furnitori” i minave, 4 copë do shiteshin 10 mijë euro

Një prodhues e tregtar i minave me telekomandë u kap në Durrës. Arben Elezi, nga Fushë Kruja kishte përgatitur 4 mina të cilat do ti shiste tek grupet kriminale për 10 mijë euro. Vetëm gjatë verës në Durrës janë goditur 4 raste të tregtisë së bombave me telekomandë, çka ngre dyshime se në qytet po përgatitet ngjarje kriminale.

Në Durrës duket se po përgatitet një atentat. 4 mina me telekomandë do të shiteshin në qytetin bregdetar për 10 mijë euro.

Fatmirësisht nuk përfunduan në duart e porositësve, por u sekuestruan nga policia që kishte marrë informacion.

Në pranga përfundoi tregtari dhe prodhuesi i minave, Arben Elezi, 50 vjeç, nga fshati Larushk i Fushë Krujës.

Ai u kap në Shkafanë të Ishmit në kuadër të operacionit “Furnitori”.

4 minat, siç konfirmon policia, ishin të lidhura me aparat celular dhe ishin gati për tu përdorur.

Arben Elezi, ishte i skeduar nga policia për tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave, ndërsa më herët është hetuar për kultivim të bimëve narkotike e dhunë në familje.

Policia nuk jep detaje për blerësit e minave, pasi hetimet për të zbuluar personat e përfshirë janë në vijim.

Pak ditë më parë, në Durrës dështoi një atentat në fabrikën e çimentos, ku u vendosën rreth 50 kilogram tritol që fatmirësisht nuk shpërtheu, pasi pasojat vlerësohet se do të ishin katastrofike në zonën e Shkozetit.

Në korrik, një 30-vjeçar u arrestua në Durrës, me dy mina me telekomandë, të cilat do ti shiste për 6000 euro.

Ndërsa dy rastë të tjera u goditën në muajin qershor.

Këto tentativa të shitjes së eksplozivëve, kryesisht në Durrës, konfirmojnë lulëzimin e tregut të zi të armëve dhe përforcojnë dyshimet se në qytetin bregdetar po përgatitet një atentat.

 

EMISIONET