Djegia e makinës së Marsel Buçit, gjykata 30 ditë burg për Durim Stafën. Kontradiktat, që ngritën dyshime për vëllezërit

Djegia e makinës së Marsel Buçit, gjykata 30 ditë burg

Gjykata e Korçës, ka mbyllur 30 ditë në burg njërin nga vëllezërit Stafa nga Elbasani, i cili u arrestua nga komisariati i Bilishtit si personi i dyshuar për djegien e makinës tip “Audi A4” në pronësi të  Marsel Buçie.

Durim Stafa, ka dalë mëngjesin e djeshëm para gjykatës, e cila ka shqyrtuar masën e sigurisë ndaj personit të arrestuar.

Ka qenë vetë prokuroria që ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 30 ditor, për shkak të sqarimit të disa momenteve kontradiktore, që ka dhënë i arrestuari Durim Stafa.

Kjo masë sigurimi është pranuar dhe nga gjykata, e cila mbylli në burg të dyshuarin kryesor për djegien e makinës në lagjen “Çezma e Madhe” në Bilishtit.

Ndërsa nga ana tjetër, është shpallur në kërkim policor vëllai i Durimit, shtetasi Resmi Stafa.

Dy vëllezërit janë identifikuar si autorë të dyshuar të zjarrvënies në makinën e Marsel Buçit, pasi kanë kaluar në orët e vona të natës në Bilisht, orar i cili është shumë i afërt me atë të djegies së makinës.

Makina e dy vëllezërve, ka bërë disa xhiro në mesnatë në rrugët e Bilishtit, madje automjeti është ndaluar dhe nga një patrullë policie. Ndalimi është bërë në dalje të qytetit, ku në makinë ishin dy vëllezërit Stafa dhe në hyrje, ku ishte vetëm njëri nga vëllezërit, Durim Stafa.

Aq më tepër që makina e përdorur në lëvizjen e tyre rezultonte të jetë me targa fallso, që besohet se i përkasin një automjeti në qytetin e Fierit.

Në telefonin e Durim Stafës, nuk është gjendur asnjë numër dhe komunikim me Deizi Arapin.

Dyshimet për vëllezërit si pjesëmarës në këtë ngjarje kriminale, kanë ardhur pasi njëri nga vëllezërit e arrestuar, Durim Stafa, rezulton të ketë dhënë dëshmi kontradiktore.

Aq më tepër që në përgjimet ambientale të kryera nga policia, ka rezultuar se Durim Stafa, jepte disa të dhëna që krijojnë bindjen se ai bashkë me vëllain kishin ardhur në mesnatë në Bilisht, për të mbaruar një punë. Por se çfarë pune do mbaronin dhe kujt i shërbenin në Bilisht, kjo ende nuk është mësuar zyrtarisht.

Djegia e makinës së Marsel Buçit, u realizuar gati dy javë pas djegies së automjetit tip “Benz”, të Deizi Arapit, vajzës së re që e njohur si “Gangsterja e Bilishtit”, e proceduar nga policia lokale për “Kundërshtim me forcë të punonjësve të policisë”.

Arapi akuzoi në atë periudhë si indikatorë dhe shkaktarë të djegies së makinës, deputetin e PD, Bledion Nallbatin dhe një nga punëtorët e karburantit të tij, Marsel Buçin.

Marsel Buçi, u mor në pyetje nga policia e Bilishtit, ndërsa nuk pranoi akuzën dhe pretendimet e Deizi Arapit.

Dy javë pas kësaj ngjarje, jo shumë larg shtëpisë së Deizi Arapit, është djegur makina e Marsel Buçit, i cili këtë radhë drejtonte gishtin tek motrat Arapi, me pretendimin se ato ishin shkaktaret e djegies së makinës.

Deizi Arapi dhe e motra saj, janë marrë në pyetje duke treguar vendndodhjen e tyre se ku ishin atë natë.

EMISIONET