Dita Botërore pa Duhan/ Psikologët në Shkodër ngrenë alarmin, 40% e gjimnazistëve konsumues

Pothuajse gjysma e të rinjve në shkollat e mesme në Shkodër janë konsumatorë të duhanit, ndërsa ky fenomen, sipas psikologëve, është përhapur edhe te shkollat 9-vjeçare ndjeshëm.
Në një aktivitet ndërgjegjësues të organizuar në shkollën e mesme “28 Nëntori” në ditën botërore pa duhan, psikologu Fatjon Taipi tha se mbi 40% e nxënësve janë duhanpirës në bazë të statistikave.
“Aktiviteti ‘Duhani, rruga drejt së keqes’, është më shumë se një paralajmërim. Është një thirrje që ne i bëjmë rinisë për një jetë të shëndetshme. I bëjmë thirrje të jetojnë të lirë nga varësitë të cilat dëmtojnë jo vetëm trupin, por edhe mendjen”, tha Jetina.
Një mesazh dha edhe drejtori rajonal i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, Visar Jetina.
“Duhanpirja te gjimnazistët është një problem ndërsa ka filluar edhe te nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Është një problem shumë shqetësues për faktin se nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që shkakton duhani. Në një studim që kemi bërë kemi mbi 40% të nxënësve që deklarojnë se ata vetë ose shokët e shoqet e tyre konsumojnë duhanin. Patjetër që është një shifër shumë e lartë sepse i bie që gjysma e gjimnazistëve e përdorin duhanin”, u shpreh Taipi.
Një problem që po përhapet gjithnjë te të rinjtë është përdorimi i cigareve elektronike nga ana e tyre.
Specialistja e OSHKSH Shkodër, Jozefina Delia, tha se një problem i madh së fundmi është edhe përdorimi i cigareve elektronike.
“Së fundmi një problem i madh i shoqërisë sonë është përdorimi në masë i cigareve elektronike. Kjo është një formë e re që lidhet me mitin e gabuar që nuk janë të dëmshme, por në fakt janë më të dëmshme se vetë duhani”, u shpreh Delia.
Vetë nxënësit tregojnë se konsumimi i duhanit në radhët e tyre është gjithnjë e më problem.
“Duhanpirja është një problem shumë shqetësues në ditët e sotme sepse shumë të rinj e konsumojnë duhanin, tashmë në masë edhe fëmijët dhe ajo që doja t’u thoja është STOP duhanit sepse është shumë i dëmshëm”, tha një nxënës.
“Ky aktivitet është për të ndërgjegjësuar jo vetëm duhanpirësit që e bëjnë dëmin, por edhe për atë që quhet duhanpirja pasive, pra dëmi që u shkaktojnë të tjerëve”, u shpreh një tjetër nxënës.
31 Maji njihet si Dita Botërore pa Duhan me qëllim për të rritur sensibilizimin për rreziqet që sjell përdorimi i tij si dhe marrjen e masave për të ulur duhanpirjen.
Në botë janë afro 8 milionë persona që humbin jetën çdo vit nga duhanpirja, ndërsa në Shqipëri kjo shifër përllogaritet afro 5 mijë persona në vit që vdesin si shkak i duhanit./ CNA


