Dikur si Myzeqeja/ Fusha e Maqellarës në Dibër, djerrë. Askush nuk punon më tokën
Fusha e Maqellares në Dibër prej vitesh vuan mungesën e ujit vaditës. Dikur atje kishte prodhim të lartë të produkteve bujqësore ndërsa sot, askush nuk e punon më tokën, ndërsa fermerët e drejtojnë gishtin nga bashkia.
Njihej si Myzeqeja e dytë, për shkak të prodhimit të madh që kishte toka. Sot, fusha e Maqellares në Dibër nuk ka pikë ujë për vaditje.
Qindra hektarë tokë bujqësore janë të papunuara e të pa kultivuara, sepse s’ka më ujë.
"Ka qenë hambari i Dibrës, prodhonte grurë e misër që shkonin në vende të tjera. Misër, patate, çdo gjë prodhohej këtu. Ka qenë hambar. Myzeqe.
Ka mbaruar çdo gjë. Miell gruri nuk prodhon dot as tre kuintal për dynym dhe misri po ashtu,"
Ka mbi 30 vite që mungon uji në fushën e Maqellarës, që është hambari i dytë në Shqipëri. Pas Lushnjes vjen Dibra," thonë banorët.
Veprat që dikur furnizonin me ujë këtë zonë, janë dëmtuar, si pompa që merrte ujë nga lumi Drin i Zi e po ashtu edhe kanalet me vetërrjedhje që merreshin nga mali i Bllacës e më gjerë.
"400 litra/ sek vinte vetëm në Maqellarë. S'ka shpresë as për fushata, për asgjë. Dëgjojmë pallavra përditë se nuk mendojnë për popullin këto. Ka 30 vitë që nuk vjen pika e ujit," thonë ata.
Banorët shprehen se në këto 30 vite ka munguar iniciativa e drejtuesve vendor dhe atyre qëndror për të rikthyer vaditjen.
Mungesa e këtyre veprave vaditëse, sipas banorëve ka detyruar të rinjtë e Maqellarës të marrin rrugët e emigrimit duke lënë banesat bosh.
"Këta nuk mendojnë për popullin, por për vete. Nuk ka shpresë këtu tek ne. Kanë ikur të gjithë të rinjtë jashtë shtetit.
Shteti nuk ka vënë dorë fare. Kjo fushë prodhon shumë: misër, grurë, fasule. Kur vjen fushata thonë do bëjmë këtë do bëjmë atë, do sjellim ujë, drita. Kur marrin mandatin e të thotë "Mirupafshim"," thonë ata.
Banorët e Maqellarës kanë marrë disa herë premtime për t'ju siguruar ujin vaditës, por deri tani premtimet kanë mbetur vetëm fjalë për të marrë vota.
