Detarët të pafajshëm, Gjykata e Vlorës u heq akuzën e përfshirjes në trafik klandestinësh, dënohet skafisti
Gjykata e Vlorës shpalli të pafajshëm 5 efektivët e Forcës Detare të dyshuar për përfshirjen e trafikimit e klandestinëve nga Shqipëria drejt Italisë. Skafisti dhe strehuesi i emigrantëve u dënuan.
Pesë efektivët e Flotës Luftarake Detare në Pashaliman të dyshuar për përfshirje në trafik klandestinësh do të lundrojnë sërish të lirë në det.
Gjykata e Vlorës u ka dhënë pafajësi për akuzën e shpërdorimit të detyrës në rastin e kalimit të paligjshëm të 55 emigrantëve nga Lindja e Mesme, të ndaluar më 8 Janar 2021, teksa mjeti lundrues me të cilin po i drejtoheshin Italisë, pësoi avari.
Gjyqtarja, Arbana Selmanaj, ka rrëzuar akuzat për Besmir Meçaj, Bledar Bufaj, Sejfulla Beja, Roland Canaj dhe Ardit Alika.
Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar deklarimin fajtorë dhe dënimin me 1.6 vite burg për secilin prej tyre për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Akuza pretendon se ushtarakët e Flotës, efektivë të anijes “P-116”, shkelën rregullat duke u ofruar ndihmë dy skafistëve, të cilët më pas janë hedhur në det dhe kanë dalë në breg, duke mos u arrestuar nga Policia e Vlorës.
Ndërsa detarët gjithmonë kanë mbajtur qëndrimin se ata shmangën tragjedi.
Sakaq, Gjykata vendosi dënimin me 9 vite burgim për skafistin Emiljano Likaj dhe 6 vite burg për Qazim Ismailin, i cili strehonte emigrantët.
Ndërsa Fatos Dusha, pronari i hotelit në Tiranë ku qëndronin emigrantët, mori pafajësi.
Emiljano Likaj dhe Qazim Ismaili pritet të dalin edhe përpara Gjykatës së Posaçme, si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të klandestinëve në 3 shtete.

