Detajet nga konflikti me armë i Vinzit të Hellbanianz, zhduket arma e krimit, plumbat thyen xhamat e hotelit
Arma me të cilën Ervin Selita tentoi të vriste pronarin e hotelit, Zeni Xhindi është zhdukur.
Ngjarja ndodhi në një hotel në rrugën "3 Vëllezërit Kondi", në Tiranë mesditën e 2 shkurtit, por vetëm sot u njoftua për mediet.
Burime bëjnë me dije se mesditën e 2 shkurtit, Ervin Selita, anëtar i një grupi muzikor, të cilët njihen për precedent dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme, tentoi të vriste një nga pronarët e hotelit pas një konflikti që filloi në ambientet e jashtme.
Selita i cili shoqërohej nga një 30-vjeçare, fillimisht u konfliktua me recepsionistin e hotelit pasi nuk e lejoi të hynte pa i dhënë kartën e identitetit dhe konflikti vijoi më pas me Xhindin.
Në dëshminë paraprake Ervin Selita është shprehur se në atë hotel shkonte shpesh dhe fakti që vajzës që ai shoqëronte i ishte kërkuar karta e identitetit e kishte irrituar. Ai ka pranuar se ka qenë edhe nën efektin e alkoolit dhe nuk ishte i vetëdijshëm, raporton Ora News.
Burime bëjnë me dije se i riu i njohur edhe me pseudonimin “Vinzi i HellAlbaniaz”, ka rënë në pranga pak minuta pas ngjarjes bashkë me shtetasen E. D, 30-vjeçe, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Xhuliano Selita 23-vjeç dhe Erjon Mici 26-vjeç.
Si nisi sherri
Ervin Selita dhe E.D, u konfliktuan me sportelistin A.K dhe pronarin Zeni Xhindi.
Pas agravimit të sherrit, Ervin Selita ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë Zeni Xhindi, armë e cila është zhdukur nga vendngjarja dhe ende nuk është sekuestruar.
Si pasojë e të shtënave në breshëri janë dëmtuar dhe thyer xhamat e fasadës së hotelit. Në konflikt është bashkuar Xhuliano Selita dhe Erjon Mici, të njohurit e Ervin Selitës të cilët dyshohet se janë lajmëruar nga 30-vjeçari.
Njëri prej tyre, i identifikuar si Erjon Mici ka marrë pistoletën e Selitës dhe është larguar së bashku me Xhuliano Selitën, i afërm i reperit. Të dy këta persona janë shpallur në kërkim.
Në vendngjarje janë gjetur e sekuestruar 6 gëzhoja dhe një predhë. Policia ka sekuestruar kamerat e hotelit në fjalë nga vëzhgimi i të cilave janë zbuluar edhe dinamikat e ngjarjes e cila terrorizoi banorët e zonës.


