Denoncimi në emisionin investigativ, pezullohet mësuesja e shkollës “Isa Boletini” në Kamzë

Denoncimi në emisionin investigativ, pezullohet mësuesja e

Ministria e Arsimit, në një reagim publik bëri të ditur sot, se ngritur grup pune për ndjekjen e plotë të situatës, lidhur me mësuesen e arsimit fillor në shkollën “Isa Boletini” në Kamzë.

Lidhur me materialin e transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ Stop, ku pasqyrohet sjellje e papërshtatshme dhe e papranueshme nga mësuesja e arsimit fillor në shkollën “Isa Boletini”, Ministria e Arsimit dënon çdo veprim që cenon sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e nxënësve në institucionet arsimore.

Menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ngritur grup pune për ndjekjen e plotë të situatës, duke zhvilluar takime me drejtuesit e institucionit arsimor, psikologët e shkollës dhe prindërit e nxënësve të përfshirë.

MA, njofton se me vendim të datës 6 Maj 2026, mësuesja në fjalë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe nuk është lejuar të hyjë në ambientet e shkollës deri në përfundim të procedurave administrative dhe institucionale. Paralelisht, drejtoria e shkollës po bën kallëzimin pranë organeve kompetente, ndërsa do t’i kërkohet zyrtarisht emisionit “Stop” vënia në dispozicion e të gjitha pamjeve filmike për verifikimin e plotë të rastit.

Ministria e Arsimit nënvizon se figura e mësuesit është themel i edukimit dhe formimit të brezave të rinj. Çdo sjellje që bie ndesh me etikën profesionale, normat njerëzore dhe përgjegjësinë e lartë të profesionit të mësuesit është e papranueshme dhe nuk mund të ketë vend në sistemin tonë arsimor.

“Mirënjohje medias për sinjalizimin me fakte të episodeve të papranueshme për një mjedis të shëndetshëm dhe edukues në arsim! Roli i medias është sa ndihmues në promovimin e modeleve të shkëlqyera të mësuesve dhe nxënësve, aq edhe i dobishëm kur identifikojmë së bashku elementë të tillë, që nuk mund të cenojnë në asnjë mënyrë figurën e mësuesit, të ndërtuar me aq mund nga dhjetëra mijëra mësues”, thuhet në reagim.

Ministria e Arsimit mbetet e angazhuar për të garantuar mjedis të sigurt, të shëndetshëm dhe edukues për çdo nxënës, si dhe për të mbështetur e mbrojtur figurën e mijëra mësuesve të përkushtuar që kontribuojnë çdo ditë me profesionalizëm në edukimin e brezave të rinj.

Grupi i punës vijon procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave. Në përfundim të tij do të hartohet raporti përkatës mbi përgjegjësitë institucionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Denoncimi në emisionin investigativ, pezullohet mësuesja e

EMISIONET