Denoncimi/ Datat e skadencës "zhduken" për 3 sekonda. Apeli për blerësit: Raportoni menjëherë produktet!
Ligjet dhe udhëzimet për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri nuk kane shumë ndryshim me ato të vendeve te Bashkimit Europian, por ndryshe nga BE në vendin tonë ligji shkruhet qartësisht por nuk zbatohet.
Shqetësimi i konsumatorëve adresuar në TV Ora News ne lidhje me produkte që data e skadencës i fshihet lehtësisht ka bëre që TV Ora News t’i drejtohet me një kërkesë për informacion Kompanise ELKA.
Më konkretisht disa produkteve të kësaj kompanie data e skadencës i fshihet lehtësisht, çka është në kundërshtim me Vendimin Nr. 434 te vitit 2018 i cili saktëson se data skadencës nuk duhet të fshihet.
Në kthimin e përgjigjes nga ELKA na është bërë me dije se procesi i vulosjes së produkteve bëhet në përputhje me ligjet në fuqi. Për të saktësuar atë që thotë ligji i jemi drejtuar AKU me një kërkesë për informacion në lidhje me fshirjen e datës së skadencës.
Ky institucion na bën me dije se bazuar ne Vendimin Nr. 434 për etiketimin e ushqimeve “Informacioni ushqimor i detyrueshëm duhet të jetë qartësisht i lexueshëm dhe të mos fshihet”.
Njëkohësisht AKU na bën me dije se në bashkëpunim me Krimin Ekonomin ka konstatuar 2 raste të produkteve, data e skadencës të së cilave fshihej dhe pasi i ka gjobitur subjektet, ka bërë bllokimin e mallit.
Ashtu sikurse AKU na ka informuar data e skadencës nuk duhet te fshihet ndërsa mjafton një test i thjesht për të parë se patatinave dhe kroasantëve nuk i fshihet asnjë e dhënë, përveç datës së skadencës.
Sipas Drejtorit të Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit të gjitha produktet etiketa e të cilave fshihet konsiderohen të pasigurta për blerësin
TV Ora News ka bëre blerje të disa produkteve te ngjashme në një shtet të BE. Siç shihet qarte edhe nga pamjet është e pamundur për tu fshirë data e skadencës.
As produkte si alkooli, ose më të forta nuk mund ta heqin datën e skadencës të mallrave që tregtohen në BE, ndërsa në vendin tone ajo fshihet vetëm me një të kaluar të gishtit.
Fshirja e datave të skadencës mund t’i hapë rruge abuzimit. Sipas të dhënave zyrtare nga AKU, për manipulimin e datës së skadencës dhe mangësive në etiketim nga viti 2021 deri në 2023 janë vendosur në total 262 gjoba.

