Dënohet me 3.4 vite burgim “Vis Korçari” për përplasjen me armë, Gjykata dënon e 3 të tjerë
Është dënuar me 5 vite burgim Ervis Çaushllari alias Elvis Koçi, personi që u përplas me armë me një grup të rinj në 25 nëntor 2020, ku në këtë ngjarje mbeti i plagosur dhe vetë Ervis Çaushllari.
Njeriu që siç thirret ndryshe në Elbasan me nofkën “Vis Korçari”, në 3 shkurt 2022, është deklaruar fajtor dhe dënuar me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “Mbajtje pa lejë dhe prodhimit të armëve të zjarrit”.
Por për shkak të ngjykimit të shkurtuar, përfundimisht, gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim. Gjykata fajtor ka deklaruar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe Ersi Çekanin, ku fillimisht ai është dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çekani, përfundimisht u dënua me 9 muaj burgim. Një tjetër i pandehur për këtë ngjarje është dhe Feliks Filja, i cili për “Moskallëzim Krimi” është dënuar me 8 muaj e 11 ditë burgim. Ndërsa i pandehuri tjetër Armand Ceveli, është dënuar me 10 muaj burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
Ndërsa për të pandehurin tjetër Migert Qosja, i cili ndodhet në arrati dhe që akuzohet për “Kanosje me armë” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”, çështja është veçuar pasi ende nuk ka mundur ta lokalizojë dhe arrestojë policia e Elbasanit. Rivaliteti mes dy grupeve në Elbasan, dyshohet se është arsyeja pas shkëmbimit të zjarrit që u shënua në Elbasan mesditën e 25 nentorit 2020.
Një nga protagonistët ishte Elvis Koçi (Çaushllari) i njohur në qytet si "Vis korçari", i cili mbeti i plagosur dhe u vu në pranga në spitalin Ushtarak në Tiranë. Në krahun tjetër, policia thotë se qëndronte, Migert Qosja, një 25 vjeçar, banues po në qytetin e Elbasanit.