Dënimi i Tahirit, Berisha: U negociua nga Rama, u bekua nga Guvernatorja Kim. Meta: Sistemi gjyqësor, i kapur
Për Partinë Demokratike, burgosja e ish ministrit socialist Saimir Tahiri është e pamjaftueshme, pasi sipas Ervin Salianjit, vendimi i Gjykatës provoi se me Rilindjen e Edi Ramës Shqipëria është kthyer në parajsë të krimit të organizuar.
“Edi Rama mbrojti krimin e organizuar pasi Saimir Tahiri, nuk mundej dhe nuk mundet dot pa mbrojtjen e tij, mbështetjen e Edi Ramës ai e kishte të plotë. Edi Rama është kreu i kësaj bande.”- shprehet Salianji.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha mendon që Edi Rama nuk ka hequr dorë nga Tahiri, pasi sipas tij kryeministri ka negociuar me drejtësinë për t’i ulur dënimin.
“Vendimi për Tahirin është plotësuar i trukuar dhe qesharak. Kreu i Meduzes, madam Radari, Gjeneral Hashashi dhe e tere nomenklatura kanabiste e narkoshtetit mbrëmë festuan marrëveshjen me Tahirin. Rama dhe madam Radari, gjeneral Hashashi etj, nuk folën pas vendimit por respektuan heshtjen e kodit te mafies.
Vendimi u bekua edhe nga Guvernatorja Kim, e cila fill pas dënimit u tha shqiptarëve se askush nuk është mbi ligjin.”- shkruan Berisha.
Ndryshe nga Edi Rama që mendon se drejtësia po funksion, Presidenti i republikës shprehet se kapja e sistemit gjyqësor nga grupi i strukturuar kriminal i qeverisë vërtetohet me aferën e incineratorëve prej 430 milion euro.


