Demalia: Yuri Kim qëndrim jo korrekt! Nuk ndëshkohet PS, Rama koka e oktapodit të korrupsionit. I lidhur me oligarkinë e krimit
Ditën që ish-kryeministri Sali Berisha dorëzoi firmat për mbledhjen e Kuvendit të PD-së me 11 dhjetor, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se ShBA nuk do të angazhohet me askënd që është shpallur "non grata" nga Sekretari i Shtetit teksa u pyet si do të jenë marrëdhëniet e saj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj.
Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur "non grata" nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.
Analisti Ilir Demalia, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News në lidhje me këtë deklaratë ka shprehur mosdakordësi me qëndrimin e ambasadores.
Ai shprehet se si ambasadorja, si Departamenti i Shtetit nuk mbajnë të njëjtin qëndrim edhe me Partinë Socialiste.
Demalia: Ambasadorja edhe Departamenti i Shtetit nuk mbajnë një qëndrim korrekt për të dyja palët, atëherë krijohet kjo situatë. Pse?! Sepse nuk ndëshkohet Partia Socialiste, nuk thuhet asnjë fjalë për Edi Ramën që është koka e oktapodit të korrupsionit në Shqipëri, që është i lidhur me gjithë oligarkinë e krimit. Në qoftë se ne mendojmë që me ndëshkimin apo largimin e Berishës do zgjidhim problemin politik dhe demokracinë në Shqipëri kjo është e gabuar. Ambasadorja duhet të mbajë një qëndrim për të gjithë njësoj. Në këtë mënyrë nuk do të vendoset as drejtësi, as demokraci.
Sipas Demalisë, e gjithë kjo që po shtjellohet është një gjendje që tregon trupin e gangrenizuar të politikës, të shoqërisë në Shqipëri që është kapur nga krimi.
Demalia: E gjithë shoqëria është futur në një rreth vicioz të trafikut, të drogës, të korrupsionit shtetëror se ato të japin para dhe kjo duket qartë në të gjitha segmentet.
Sipas analistit, gjendja është e rëndë, situata është e gangrenizuar dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku

