Debate për Fierin te Siguria, kryetari kalon projekt-buxhetin, opozita kërkon hetim: Ju ndal diçka para dhimbjes?!

Vrasja e 8-vjeçarit, Mateo Vasiu, në Fier ka mbizotëruar mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, edhe pse në rend të ditës ishte diskutimi i projekt-buxhetit të vitit 2022. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj kërkoi hetim për institucionet që nuk parandaluan ngjarjen, ndërsa tha se opozita nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër kryetari i Komisionit vendosi kalimin nen për nen të projektbuxhetit.

Ngjarja e Fierit ka mbizotëruar dhe në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku po diskutohej projektligji i buxhetit të vitit të ardhshëm 2022.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan hetim ndaj institucioneve ligjzbatuese për të parë nëse ato e kanë kryer siç duhet punën e tyre në lidhje me autorin e vrasjes së 8-vjeçarit, Mateo vasiu.

Alibeaj: Ne nuk mund të bejme sikur s'ka ndodhur asgjë. A e kanë bërë detyrën institucionet qeveritare? Policia nuk është më policia e komunitetit por policia kundër komunitetit, të vobektin e lë në fatin e vet. Fatkeqësia i ka ndodhur tjetërkujt, por secili nga ne ka përgjegjësi për të shkuarën dhe për të tashmen.

Për këtë, përfaqësuesi i mazhorancës kërkoi që të thirret në Komision drejtori i Policisë së Shtetit.

Qefalia: Nuk ka ndasi për këtë rast. Të thirrim drejtuesit rajonalë të Fierit apo drejtuesit e shtetit.

Kjo kërkesë u mbështet dhe nga deputetët e opozitës. Ndërkohë, nga ana e maxhorancës ishte kreu i Komisionit Nasip Naço, ai i cili i kërkoi deputetëve të PD-së të mos bënin politikë me fatkeqësinë, por të fokusoheshin tek rendi i ditës.

Por, ndërsa përfaqësuesit e opozitës diskutonin për vrasjen e 8-vjeçarit nga fqinji i tij, kryetari i Komisionit vijoi kalimin nen për nen të projektbuxhetit.

Baçi: Turp t'ju vijë juve. Me forcën e kartonit mund të bëni çdo gjë.

Salianji: Problemi në këtë vend është se këto ngjarje duhet të parandalohen dhe nuk janë institucionet të shkojnë të ngushëllojnë. Kemi përdite vrasje pa autor.

Pasi kryetari i Komisionit njoftoi miratimin nën për nen të buxhetit vetëm me votat e mazhorancës, deputeti i PD-së Alibeaj vijoi qëndrimin e tij për ngjarjen e Fierit.

Alibeaj: Domethënë e miratuat buxhetin. Për juve përgjegjshmëria njerëzore kjo është. Ikni vidhni sa më shumë, jetët e shqiptarëve shkojnë nën dhe. Juve vetëakuzoheni. Vraponi neni 1, neni 2. Para parasë nuk ju ndal askush. Por para dhimbjes ju ndal diçka?

Sa i përket buxhetit, opozita shprehu qëndrimin kundër pasi sipas tyre, financimi për mbrojtjen nuk ka lidhje me politikat e këtij sektori pasi sipas tyre efektivët nuk janë paguar për punën jashtë orarit.

 

EMISIONET