Debat për trashëgiminë kulturore, Zhupa "gozhdon" Ministren me shembjen e ish-godinës së ATSH-së dhe Teatrin

Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë ka shërbyer si shkëndijë për përplasjen e radhës mes opozitës dhe mazhorancës në seancën e së enjtes plenare.

Një ditë pas shembjes së godinës historike të ish- Agjencisë Telegrafike Shqiptare, opozita akuzoi qeverinë si shkatërrimtare të trashëgimisë kulturore të vendit.

Nga foltorja e Kuvendit deputetja Ina Zhupa shkoi më tej me akuza teksa deklaroi se duke përdorur rindërtimin si pretekst, qeveria po i vë kazmën edhe godinës 7-katëshe të ndërtuar nga Maks Velo dhe cilësuar si Monument Kulture i kategorisë së dytë në vitin 2007, me justifikimin e dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Zhupa: Jo më larg se dje ish-godina ATSH e cila ka marrë statusin Monument Kulture i kategorisë së dytë me datë 5.03.2007, që mban autorësinë e Maks Velos, u shemb. Pa pyetur për ligj, ligji nuk e lejon.

Dhe për të përfocuar argumentat e saj Zhupa riktheu në vëmendje edhe shembjen e dhunshme të godinës së Teatrit Kombëtar, akt i cili sipas saj dëshmon shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve.

Zhupa: Ju keni në bilancin tuaj për vlerat dhe trashëgiminë kulturore krimin më të madh që mund ti bëhej një vendi, shembjen e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar u shemb përmes dhunës, terrorit, paligjshmërisë, duke shpërfillur vullnetin e qytetarëve.

Për akuzat reagoi vetë Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shmangu përgjigjet për shqetësimet konkrete të opozitës por e akuzoi këtë të fundit se po e politizon kulturën.

Për deputetin demokrat, Luçiano Boçi, qeveria është duke mbrojtur vetëm objektet që i përkasin trashëgimisë kulturore të regjimit komunist në Shqipëri, duke i akuzuar socialistët si pasardhës së komunistëve.

EMISIONET