Daily Mail “çmonton” Ramën, Reportazh nga Tirana për emigrantët: Korrupsion kudo, kostoja e jetesës në qiell

Daily Mail “çmonton” Ramën, Reportazh nga Tirana

Tabloidi i njohur britanik ‘Daily Mail’ i ka kushtuar sërish një artikull shqiptarëve, duke u përfshirë kështu në debatin e madh për eksodin e tyre drejt Britanisë së Madhe. Gazetari investigativ i “Mail online” Guy Adams, ka udhëtuar drejt vendit tonë, ku tregon detaje se si ikin shqiptarët drejt ‘tokës së premtuar’.

Prestigjiozja britanike ‘Daily Mail’ i ka kushtuar një tjetër artikull fenomenit të emigrimit në masë të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.

Për të demonstruar këtë rrugëtim sa të shtrenjtë, aq edhe të vështirë për ta, Gazetari investigativ i “Mail online” Guy Adams ndalet në një agjenci autobusësh, që arrin të dërgojë shqiptarët me lehtësi deri në vende të caktuara të Europës, nga ku, e vetmja ‘detyrë’ që i ngelet emigrantëve është që të gjejnë një ndërmjetës, i cili nëpërmjet pagesës, do të mund t’i ofrojë atyre mundësinë e kalimit nëpërmjet mënyrave të ndryshme, drejt Britanisë së Madhe.

E përditshmja britanike ndalet të takojë jo vetëm pronarët e agjencisë në fjalë, por edhe banorë dhe emigrantë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët presin me çanta në krah nisjen drejt rrugëtimit të tyre sfilitës, por aq shumë të ëndërruar, Mbretëria e Bashkuar.

Daily Mail në vlerësimin e saj të situatës ekonomike, thekson se punëtori mesatar shqiptar sot ka një pagë prej vetëm 442 Paund në muaj, ndërkohë kostoja e jetesës është në qiell.

Çmimet e ushqimeve bazë janë rritur me rreth 20 për qind këtë vit, ndërsa automjetet që bllokojnë rrugët e Tiranës furnizohen me naftë që tani shitet me pakicë për rreth 1.80 paund për litër.

Duke u përballur me këto të vërteta të vështira, së bashku me korrupsionin endemik që godet pothuajse çdo shtresë të shoqërisë, e përditshmja britanike thekson se nuk është e çuditshme që shumë nga të rinjtë ambiciozë të vendit duan të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

Gazetari britanik Guy Adams në reportazhin flet dhe për një marrëveshje mes kryeministrit shqiptar dhe ish-kryeministrit britanik Toni Blair, I cili pas dorëzimit të mandatit do të pajtohej nga Edi rama si rolin e këshilltarit.

Adams thotë se Rama, bëri lajme në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë pasi nisi një sulm të hapur ndaj përdorimit të fjalës ‘pushtim’ nga Suella Braverman për të përshkruar migrimin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Toni Bler dikur e këshilloi atë (pra Edi Ramën) dhe Cherie Blair ka bërë punë ligjore të paguar mirë për qeverinë e tij. Alastair Campbell ka punuar si këshilltar i tij për PR dhe madje i ka kushtuar një kapitull Ramës në librin e tij ‘fituesit dhe si ia dalin’. Disa dyshojnë për dorën e Campbell në sulmet e fundit të Ramës ndaj Sekretares së Brendshme konservatore. Ndonëse kjo mund të jetë një shtrirje, rrënjët e krizës aktuale të emigrantëve shkojnë shumë pas te ndihma që Blair dhe Campbell i dhanë Shqipërisë kur ajo bëri fushatë për t’u bërë një ‘kandidat zyrtar’ për anëtarësim në BE”, thekson Daily Mail.

Në përfundim të reportazhit, Daily Mail thekson se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po planifikon të hapë një rrugë të shpejtë për të dëbuar emigrantët shqiptarë brenda disa ditësh nga mbërritja e tyre.

EMISIONET