Celibashi: Ende shumë punë për garantimin e të drejtës së votës për personat PAK

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mori pjesë sot në tryezën e debatit “Standardet e Përfaqësimit: Përfshirja e personave me nevoja të veçanta në zgjedhje dhe jetën politike”, organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) Platforma e Negociatave të BE-së Cluster One – Shqipëri (C1-EU-NPA) dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike, Damian Gjiknuri nga PS dhe Dhurata Ҫupi nga PD si dhe ambasadori i Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Reinout Vos, Afrim Krasniqi i ISP, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, Suela Lala nga Fondacioni “Së Bashku”, Florjan Rojba i Shoqatës së Njerëzve që Nuk Dëgjojnë, dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspërtë.
Qëllimi i tryezës ishte diskutimi dhe adresimi i rrugëzgjidhjeve për jetësimin cilësor të pjesëmarrjes aktive të PAK në zgjedhje dhe në jetën politike.
Në takim u diskutua mbi vështirësitë dhe hapat e ndërmarrë për aksesueshmërinë e në procesin zgjedhor të përsonave me nevoja të veçanta dhe nivelin e përfaqësimit të tyre në jetën politike.
Celibashi solli në vëmendje projektet që KQZ ka realizuar në zgjedhjet e kaluara, si programi i veçantë i edukimit për personat PAK, takimet në të gjitha bashkitë e vendit për lehtësimin e votës PAK, përcjellja e informacionit zgjedhor në gjuhën e shenjave, pajisja e qendrave të votimit me shabllon në alfabetin Braille, bashkëpunimin me institucionet vendore për aksesueshmërinë e objekteve që përdoren si qendra votimi e të tjerë.
Ai theksoi gjithashtu, që mbetet ende shumë punë për të bërë nga të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në jetën politike dhe në proceset zgjedhore me qëllim garantimin e të drejtës së votës për personat PAK.
“Vërtet që në zgjedhjet e vitit 2025 do të mund të votojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, por ne kemi ende qytetarë brenda vendit të cilët kanë vështirësi dhe nuk arrijnë dot të votojnë”, theksoi ai.

