"Bullgarët në Bullgari dhe shqiptarët në Shqipëri", Ngjela: Nuk e kemi në disfavor veton bullgare

E ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur dëshirën për ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit nëse Bullgaria nuk heq veton në qershor, avokati Spartak Ngjela thotë se qëndrimi bullgar nuk është në disfavor të shqiptarëve.

Ngjela: Nuk e kemi shumë në disfavor, sepse nëqoftëse ata njohin pakicën bullgare merr shumë forcë pjesa shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në momentin që hyn në BE mund të bëhet një kërkesë për vetëvendosje në Maqedoni, pjesa bullgare të shkojë në Bullgari dhe pjesa shqiptare të vijë këtu. Nuk e keni menduar fare këtë?

I ftuar në Rtv Ora, Ngjela thotë se bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është në evolucion të madh dhe për këtë meritën ja njeh SHBA-së.

Ngjela: Ka një evolucion të madh të botës shqiptarë në Ballkanin Perëndimor si pasojë e aleancës me SHBA.

E megjithatë ai nuk e sheh të mundur ndarjen e dy shteteve nga procesi.

Ngjela: Nuk besoj se do të ndahet Maqedonia nga Shqipëria por a do ta bëjë Maqedonia njohjen e asaj që kërkon politika bullgare nuk e di.

Dëshira e kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga Maqedonia e Veriut nuk mori mbështetjen as të Komisionit Europian.

Qëndrimin e konfirmoi  eurokomisioneri Oliver Varhelyi, i cili i kërkoi sërish Shqipërisë të bëjë durim.

Varhelyi: Nuk ka plan B. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë.

EMISIONET