Braktisja e të miturve në Durrës/ Shërbimi Social do t’i sigurojë banesë tre fëmijëve ndërsa nënës do t’i jepet punë dhe...

Pas publikimit të rastit të tre fëmijëve në Durrës, Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë ka reaguar zyrtarisht, duke njoftuar se është mbajtur mbledhja e Grupit Teknik Ndërsektorial për trajtimin e situatës së familjes.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, Policisë, Shëndetësisë dhe organizatave joqeveritare.
Ndërkaq është vendosur që të ketë një ndërhyrje të menjëhershme për tre fëmijët dhe për nënën e tyre, Blerina Basha.
Sipas drejtoreshës së Shërbimit Social, Diola Xhango, fëmijët do të pajisen urgjentisht me veshmbathje dhe medikamente për trajtimin e sëmundjeve, ndërsa banesa do t’i nënshtrohet pastrimit dhe dezinfektimit.
Këto ndërhyrje do të financohen nga organizatat ARSIS dhe World Vision.
Familja do të asistohet gjithashtu për ndryshimin e regjistrimit civil, pasi aktualisht rezultojnë të regjistruar në zona të tjera të vendit.
Pas regjistrimit si banorë të Durrësit, ata do të përfshihen në skemën e strehimit social.
Për nënën do të sigurohet një punë me orar të plotë 8-orësh, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për t’i dhënë më shumë kohë kujdesit për fëmijët.
Nga ana tjetër ajo do të përfshihet edhe në kurse prindërimi.
Shërbimi Social do të kryejë monitorime të përditshme për të ndjekur ecurinë e familjes, ndërsa nëna do të jetë në një periudhë vlerësimi për ruajtjen e kujdestarisë së fëmijëve.

