Raporti: Kreditë e këqija u ulën në nëntor
Në muajin nëntor, niveli i kredive me probleme shënoi një përmirësim, duke u ulur në 4.19% nga 4.33% që ishte në fund të tetorit.
Kjo rënie tregon se sektori bankar po e administron me kujdes portofolin e kredisë problematike dhe po ruan një stabilitet të qëndrueshëm financiar.
Nëse vërejmë një tendencë të raportit të kredive me problem, viti 2025 filloi me një nivel prej 4.12% të huave me probleme në muajin janar.
Në muajt pasues u vu re një rënie e lehtë duke prekur nivelin e 4.02% në mars. Gjatë periudhës së pranverës, raporti i huave me probleme u mbajt relativisht i qëndrueshëm, duke u luhatur rreth nivelit 4.0%.
Megjithatë, në muajt e verës u shënua një rritje e lehtë e këtij treguesi. Kjo rritje mund të lidhet me faktorë sezonalë dhe kushte ekonomike më sfiduese.
Banka e Shqipërisë synon që niveli i kredive me probleme të qëndrojë nën 5%. Ky objektiv bazohet në përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë dhe në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Sektori bankar paraqitet aktualisht i kapitalizuar dhe me likuiditet të mirë. Megjithatë, Banka Qendrore thekson nevojën për kujdes, sidomos ndaj rritjes së shpejtë të kreditimit.
Kjo lidhet edhe me një nga masat kufizuese që Banka e Shqipërisë mori në gjysmën e parë të vitit 2025 për huadhënien në blerjen e banesave.
Banka Qendrore u ndaloi bankave financimin e blerjes së banesave në masën 100% dhe përcaktoi gjithashtu kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave.


