Bllokohen 5 kamionë me lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme, 9 të proceduar në Shkodër, mes tyre tekniku i pyjeve

Policia e Shkodrës ka bllokuar 5 kamionë që po transportonin reth 40 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme dhe ka proceduar penalisht 8 shtetas, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa licencë“.
Gjithashtu është proceduar penalisht edhe 1 teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se janë proceduar penalisht shtetasit E. N. dhe Q. M., pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, duke transportuar me kamionët e tyre lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, janë proceduar penalisht shtetasit N. Z., R. K., A. C., M. B., A. L. dhe A. S., pasi janë kapur duke transportuar me tre kamionë, lëndë drusore, pa dokumentacion përkatës.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi D. P., teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi si përgjegjës i zonës ku është konstatuar prerja dhe grumbullimi i lëndëve drusore, nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e kësaj veprimtarie.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë dhe në këtë kuadër apelon për qytetarët që të mos presin dru në mënyrë të paligjshme, pasi do të përballen me ligjin.

