Bizneset në Vlorë mbyllin dyert në shenjë proteste: Nuk është marrë asnjë masë për sezonin turistik nga bashkia

Bizneset në zonën historike të Vlorës kanë mbyllur dyert në shenjë proteste.

Ata thonë se pavarësisht se janë në prag të sezonit turistik, Bashkia nuk ka marrë asnjë masë për të pastruar zonën nga mbetjet.

"Sezoni turistik po afron dhe në zonë nuk shikohet asnjë lloj mase, të paktën flasim për pastrimin dhe dezinfektimin e zonës," thotë një qytetar.

Kanë një sërë kërkesash të tjera drejtuar autoriteteve lokale.

"Rrezikshmërinë nga puset që janë të hapura pasi është ambient familjar dhe janë të rrezikuar fëmijët, pastrimi i kanalizimeve në mënyrë rigoroze dhe aroma e keqe që mbartin pusetat e zonës që çojnë në mos-frekuentimin e njerëzve në zonë, ndalimi i motoçikletave dhe biçikletave hipur dhe vënia e gjobave nga policia rrugore dhe policia bashkiake nuk respektohet," thotë ai.

Në një zonë që është në zhvillim, thonë se është absurde që të ndalohet muzika, pasi ajo është një element për të tërhequr turistë.

"Me të drejtë dje kishim një organizim në zonë dhe policia erdhi dhe ndaloi muzikën," shtoi ai.

Nëse nuk gjejnë zgjidhje, ata paralajmërojnë të tjera protesta.

"Ne do vijojmë protestën deri sa të kemi një përfaqësues të bashkisë ose dikush që ët vijë dhe të na dëgjojë, të ulemi dhe të bisedojmë," thotë një tjetër.

Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të disa javëve më parë, kreu i Bashkisë Dritan Leli ka pranuar se është në dijeni të kërkesave të bizneseve dhe do të angazhohet për zgjidhjen e tyre, pro deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret.

EMISIONET