BILANCI TRAGJIK I AKSIDENTEVE/ Hoxha: Në 80 km/orë, një mbyllje sysh për një sekondë është 22 metra rrezik

Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri, me pasoja të rënda për jetët e humbura dhe personat që mbeten me pasoja të përhershme.

Për këtë situatë, në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha analizoi shkaqet kryesore që ndikojnë në rritjen e aksidenteve dhe përgjegjësinë e institucioneve.

Sipas ekspertit, problemi lidhet me disa faktorë që ndërthuren me njëri-tjetrin, duke nisur nga përgatitja e drejtuesve të mjeteve, gjendja teknike e automjeteve dhe infrastruktura rrugore.

"Rrugët shqiptare janë të frikshme faktikisht. Ka shumë aksidente, ka shumë humbje jetësh njerëzish, por ka edhe persona që mbeten të gjymtuar dhe me invaliditet të përhershëm. Shoqëria shqiptare është dëmtuar rëndë nga aksidentet rrugore. Shkaqet janë të shumta, duke filluar nga përgatitja e drejtuesve të automjeteve, gjendja teknike e mjeteve dhe sinjalistika rrugore që ende lë për të dëshiruar."-tha ai.

Hoxha u ndal edhe te rreziku i drejtimit të automjetit në gjendje lodhjeje apo përgjumjeje, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur shumë drejtues udhëtojnë pas orëve të gjata të kaluara në plazhe apo ambiente argëtimi.

Sipas tij, një moment shpërqendrimi në timon mund të ketë pasoja fatale.

"Një automjet që lëviz me 80 kilometra në orë përshkon 22.22 metra në një sekondë. Nëse për një sekondë mbyll sytë sepse je i përgjumur, makina ka avancuar mbi 22 metra pa kontroll. Kjo është arsyeja pse drejtimi në gjendje lodhjeje është një rrezik shumë i madh."-u shpreh Hoxha.

Eksperti ngriti shqetësimin edhe për gjendjen teknike të automjeteve në qarkullim, duke e lidhur këtë problem me mënyrën se si funksionojnë kontrollet dhe institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, siguria rrugore kërkon një rol më aktiv të shtetit dhe një sistem më të fortë kontrolli për automjetet dhe drejtuesit.

Hoxha kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit institucional të shërbimeve të transportit, duke kërkuar më shumë analiza dhe struktura të dedikuara për parandalimin e aksidenteve.

Sipas tij, përballimi i këtij fenomeni kërkon jo vetëm ndëshkim të shkeljeve, por edhe studim të shkaqeve, përmirësim të kontrolleve dhe masa konkrete për uljen e numrit të viktimave në rrugë.

 

EMISIONET