BILANCI i Prefektit të Korçës: 1,762 abonentë pa energji, nuk raportohen situata rreziku nga reshjet

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, ndau me ATSH-në informacionin e përditësuar lidhur me situatat e shkaktuara nga reshjet e shiut, në këtë qark.

Jole u shpreh se, strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat ku ka konstatime të problematikave.

Deri në këto momente nuk raportohen situata që paraqesin rrezik për qytetarët apo banesat. Gjithashtu, sa i përket situatës në lumin Devoll e Dunavec, paraqitet pa problematika, megjithë reshjet e shtuara.

Ndërkohë situatat e evidentuara nëpër territoret e bashkive janë:

Bashkia Korçë

Fshati Çiflig:

Është raportuar prezencë uji në oborret e 3 banesave në fshatin Çiflig, ku janë prekur vetëm hangarë me bazë blegtorale. Po vijon puna për pastrimin e kanaleve dhe largimin e ujërave.

Fshati Vinçan:

Rruga e fshatit Vinçan pati shkarje dherash. Administratori i Njësisë Administrative, së bashku me Ndërmarrjen e Shërbimeve të Bashkisë ndërhynë dhe u pastruan inertet. Rruga është e hapur pa probleme.

Bashkia Maliq

Në zonën e minierës në fshati Qenckë si pasojë e shkarjeve të dherave pati prezencë inertesh ne rrugë të cilat u pastruan nga kontraktori. Qarkullimi vijon normalisht. Situata në akset rrugore kryesore paraqitet e normalizuar.

Aksi i vjetër Korçë–Ersekë (Qarri)

Janë konstatuar shkarje dherash, kontraktori është në terren me mjetet përkatëse për pastrimin e rrugës.

Ndërkohë ekipet e OSHEE-së po punojnë për rregullimin e defekteve dhe aktualisht janë pa energji: zonat Protopapë, Peshtan, Mazrekë, Pulahë.

Sipas Jole, problematika me energjinë kanë 208 abonentë në Korçë, 1444 abonentë në Bilisht, në Qinam, Skorovodë, Kreshovë, rreth 60 abonentë ndërkohë që në Maliq e Pogradec nuk raportohen probleme. Sipas raportit të Institucionit të Prefektit, totali i abonentëve pa energji është 1,762.

EMISIONET