Bie nga kati i tretë i një pallati në ndërtim, humb jetën punonjësi 66-vjeçar në Berat
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Beratit, ku një punonjës ndërtimi ka humbur jetën pasi dyshohet se është rrëzuar nga kati i tretë i një pallati në ndërtim.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30. Viktima është shtetasi R. H., 66 vjeç, banues në Berat, i cili ishte punonjës i firmës që po kryente ndërtimin.
Ai është dërguar me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë pak më vonë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor që po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Autoritetet po verifikojnë nëse janë respektuar kushtet e sigurisë në punë në këtë kantier ndërtimi.
Njoftimi i policisë:
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 15:30, dyshohet se është rrëzuar nga kati i tretë i një pallati në ndërtim, në lagjen “Kushtrimi”, punonjësi i firmës së ndërtimit, shtetasi R. H., 66 vjeç, banues në Berat. Si pasojë ai ka humbur jetën, në spital.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

