Betonieret “mbysin” Tiranën, shkaktarë për ndotjen, trafikun dhe aksidentet
Mjetet e tonazhit të rëndë po lëvizin lirisht dhe pa kufizime oraresh duke shkaktuar aksidente dhe trafik të rënduar në Tiranë. Në çdo rrugë të kryeqytetit, syri të shikon betoniere apo kamionçina, të cilat shkojnë në kantiere private për ndërtim pallatesh. Ora News vëzhgoi disa prej këtyre rasteve por edhe një aksident rrugor të shkaktuar nga një prej këtyre betoniereve.
Mjetet e tonazhit të rëndë, të cilat lëviznin lirshëm në rrugët e kryeqytetit prej kohësh janë kthyer problem serioz.
Përveç ndotjes, zhurmës dhe ngarkesës së trafikut, shpesh herë janë bërë shkaktarë edhe për provokimin e aksidenteve, ku më i fundit ndodhi në zonën e ish-Doganës.
Siç shikohet edhe nga pamjet në video, automjeti tip "Audi" ka marrë dëmtime materiale në pjesën e shoferit por fatmirësisht nuk ka dëmtime në njerëz.
Në vëzhgimin e bërë nga Ora News në zonën e Pallatit me Shigjeta shikohen lëvizje të shtuara të mjeteve te rënda, brenda orarit ku lëvizja e mjeteve të tilla duhet të kufizohet brenda qytetit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur se mjetet e tonazhit të rëndë po shfrytëzohen për kantieret e veprave publike, por faktet tregojnë se betonieret shkojnë tek ndërtimet private të bizneseve.
Edhe pse ligji e ndalon lëvizjen e atyre të cilët nuk kanë leje për të ndërtuar vepra publike, ky mjet i tonazhit të rëndë përshkruan rrugët kryesore të Tiranës për tu ndalur tek punimet e një subjekti privat.
Përveç ngarkesës së trafikut, ndotja qe lënë këto mjete të tonazhit të rëndë është një tjetër problem shqetësues, pasi mbartin pluhur dhe materiale dheu e betoni në rrugët e qytetit.
Efekti ambiental i këtyre mjeteve pasi dalin nga kantieret e ndërtimit është një kosto shtesë për cilësinë e ajrit.
Me fillimin e vitit shkollor pritet që trafiku rrugor të shtohet në Tiranë, ndërkohë që policia Rrugore, Bashkia dhe institucionet duhet të marrin masa shtesë.



