Berisha rikthehet në kohë: Asnjë diplomat amerikan nuk ka kërkuar arrestimin e Fatos Nanos
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se asnjë vend, cilido qoftë ai, nuk mund ti diktojë një tjetri se kush mund të hyjë dhe kush jo në Kuvend.
I ftuar në "Drejt" në Rtv Ora, gazetari Luan Rama i kujtoi se precedent të ndërhyrjes së ambasadorëve amerikanë ka pasur edhe gjatë qeverisjes së tij, madje edhe për arrestimin e kreut të PS-së të asaj kohe.
Por Berisha e mohoi një gjë të tillë, duke nënvizuar se kjo është vetëm një alibi e Nanos.
Pjesë nga intervista
Kur ju ishit president, Ambasadori amerikan ishte përcaktues në shumë qëndrime që mbanit ju.
Berisha: Në mënyrë absolute jo.
Rajerson ishte i pranishëm në të gjitha veprimtaritë partiake në krahun tuaj, madje ai ka qenë në zyrën tuaj dhe në monentin kur është marrë vendimi për të arrestuar kryetarin e PS.
Berisha: Absolutisht jo, më vjen keq. E kam dëgjuar Fatos Nanon. Absolutisht, asnjë diplomat amerikan nuk ka kërkuar arrestimin e tij. Rajërson është e vërtetë që ishte i afërt por kishte vetëm një motiv, antikomunizmin. Sepse në atë kohë Shqipëria mbeti nga vendet e tjera dhe rrëzimi i sistemit komunist në Shqipëri përbënte një zhvillim shumë pozitiv.
A është miku juaj akoma?
Berisha: E konsideroj atë një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mund të tregoj histori që tregojnë të kundërtën e asaj.
Është krijuar steriotipi që diplomatët shpesh herë i kalojnë caqet diplomatike.
Berisha: Po, kur kryeministri është me defekt, ka kusure dhe mëkate, është peng i tyre. Ke dëgjuar këto 8 vite ndonjë kritikë publike për qeverinë nga përfaqësuesit që po flasim. E dini që raportet e DASH janë më kritike se kurrë ndaj kësaj qeverie. Thonë të vërtetat. Në rast se raporti i DASH e cilëson pervaziv korrupsionin dhe shikon që asnjë zyrtar i lartë nuk cënohet për korrupsion. Shqipëria sot është e dyta në botë për ryshfet dhe nuk thuhet një fjalë. Është një raport shumë i dëmshëm për vendin midis këtyre përfaqësuesve që bëjnë sikur përfaqësojnë qeverinë shqiptare dhe jo qeverinë e tyre.
Ambasadorët flasin në kokë të tyre, nuk janë zëdhënës të qëndrimit zyrtar të shtetit që përfaqësojnë?
Berisha: Si mund ta kuptoni deklaratën për Ballkanin e Hapur? Para një jave përfaqësuesi i DASH deklaroi se kështu siç është, është i dëmshëm. Sa vite ka Ballkani i Hapur, i ka tre vite që kur u mblodh në Novi Sad? Çfarë ka sjellë deri sot? Ka sjellë reminishencat e Luftës së Ftohtë në Ballkan, por ama ky quhet Ballkani i Soros, i Hapur. Në çdo takim është Aleks Soros. Deklarata shkon për idenë e Soros. Kujt i shërben ky Ballkan? Serbisë dhe Rusisë. Si ka mundësi që dy vende anëtare të NATO-s të bëhen vasale të një vendi që është i lidhur gjenetikisht me Rusinë, të pranojnë të hapin korridor influence ruse në rajon? Nëse ka patur luhatje në qëndrime kanë qenë të Soros dhe jo të DASH. Ata janë për stabilitet, kundër influencës ruse në Ballkan, hegjemonisë së një shteti në Ballkan. Por sa kohë që Soros është kaq i fuqishëm te disa diplomatë amerikanë, e kanë shumë të vështirë të reagojnë ndryshe.


