Berisha: Rama po zbraz HEC-et që të justifikojë anijet nga Bangladeshi për energji, do të ndotin Vlorën
Qeveria shqiptare për të përballuar situatën në bursa sa i përket çmimit të energjisë elektrike ka zgjedhur të prodhojë nevojat prej dy anijeve të posaçme.
Në një dalje për mediat Sali Berisha shprehet se ato kanë qenë në përdorim prej 20 vitesh në Bangladesh, por prej 2018 janë ndalur.
Berisha: Këto kanë funksionuar për 20 vite në Bangladesh, në qytetin Kulna. Ato nga vitit 2018 deri më sot nuk kanë pasur funksionin.
Në analizën e tij Berisha paralajmëroi që veç shpenzimeve miliona eurosh, do të ketë dhe ndotje në një nivel tepër të lartë Vlorës.
Berisha: Problemet e tyre përpos çmimet stratosferike, po kaq të tmerrshme janë problemet që lidhen me ambientin. Këto nuk janë termocentrale, por janë gjeneratorë gjigandë që funksionojnë me D2, naftë të rënë, që ka në përbërje squfur, i ndaluar për tu përdorur. Me këtë helmimi do të krijojë një ndotje të Vlorës sikur të shtohet 100 mijë makina.
Për Berishën ulja e nivelit të kaskadës së Drinit është e qëllimshme, por zgjidhje për krizën energjetike ai shikon dy rrugë.
Berisha: Çfarë po bën Edi Rama tashi për të dalë para shqiptarëve me këtë batërdi? Po bën zbrazjen e kaskadës së Drinit në mënyrë të rrufeshme. Drini ulet në mënyrë të rrufeshme me 50 cm në ditë. Sot kaskada është 274 metra, kur me rregullore në 1 shtator nuk duhet të jetë nën 284 metra. Edi Rama për të justifikuar këtë krim të shëmtuar, për tu thënë shqiptarëve se s’ka energji në diga dhe në bursë, për të instaluar këto impiante.
Vetëm një muaj më parë qeveria paralajmëroi se për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat orë çmimi i energjisë do të jetë sipas bursës ndërkombëtare.

