Berisha mban "Foltoren" e fundit: Rama armik i pluralizmit, Basha tradhtar i demokracisë

Foltoren e fundit, Sali Berisha e mbajti në Sheshin Demokracia në Qytet Studenti, në të njëjtin vend ku 31 vite më parë studentët u ngritën kundër regjimit komunist për të sjellë pluralizmin politik. lideri historik i PD shpreson që në Kuvendin e 11 dhjetorit, të rithemelojë PD, por këtë radhë duke rrëzuar nga posti Lulzim Bashën, jo me protesta, por me votë.

8 dhjetorin e lëvizjes studentore demokratët e festuan të ndarë në dy kampe, e para herë pas 31 vitesh. Djali i vogël i heroit të demokracisë, që mban emrin e të atit, pasi vendosi kurorë me lule pranë shtatores të Azem Hajdarin, u ul në krah të Sali Berishës, së bashku me disa prej ish studentëve të dhjetorit të vitit 1990.

Sheshin Demokracia në Qytetet Studenti u kthye në foltoren e fundit të liderit historik të PD, Sali Berisha, i cili në ditën e rinisë kërkoi mbështetjen e demokratëve për ta rikthyer atë sërish në krye të PD pas 8 viteve.

"Ashtu siç çmontuam dhe përmbysëm diktaturën hoxhiste, të përmbysin në "Air Albania" narko shtetin e Edvin Krisqat Ramës dhe pengun e tij Lulzim Basha," tha Berisha.

Për të maksimizuar mbështetjen e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, Sali Berisha etiketoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, si dy armiqtë e vendit.

"Pas 8 vitesh meriton të quhet Lulzim Boshi apo peng kryetari. Rama është armiku më i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, Basha është pa asnjë diskutim tradhtari më i madh i tyre," tha Berisha.

në 11 dhjetori, ish kryeministri kërkon të rithemelojë Partinë Demokratike, pavarësisht se pjesë të saj do të ketë të njëjtat figura që kanë qeverisur prej vitesh, por me argumentin se janë kundër kryetarit aktual të selisë blu.

"Të rithemelojmë partinë e dhjetorit '90, partinë e studentëve të dhjetorit," tha ish-lideri i demokratëve.

Në këtë përvjetor të 31 të lëvizjes studentore u vu re mungesa e themeluesve të PD, emra të rëndësishëm që ende të paktën publikisht nuk janë shprehur se Kuvendi i 11 apo 18 dhjetorit do të rikthejë demokracinë në selinë blu.



EMISIONET