Begaj: Asambleja e Përgjithshme e OKB, moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar

Begaj: Asambleja e Përgjithshme e OKB, moment i rëndësishëm

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku po kryeson delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që merr pjesë në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Begaj u shpreh se, Asambleja e Përgjithshme e OKB është një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB po fillon. Ky është një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar, mbushur me takime bilaterale dhe diskutime me liderë të tjerë botërorë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të 193 vendeve anëtare të OKB-së, Presidenti Begaj do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në debatin e Përgjithshëm të AP të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, Presidenti Begaj, do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju Jork, në vigjilje të Sesionit të 78-të të AP të OKB.

Edhe në këtë forum, Presidenti do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në segmentin e dedikuar të dialogut të udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare të vendeve të tjera.

Presidenti Begaj gjatë periudhës së qëndrimit në Nju-Jork do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA.

EMISIONET